Gjermania dhe Islanda thellojnë bashkëpunimin ushtarak
Në kushtet e rritjes së kërcënimeve ruse në rajonin e veriut, Gjermania dhe Islanda kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke hapur rrugën për projekte të reja logjistike dhe mbrojtëse në Atlantikun e Veriut.
Forcat e armatosura gjermane synojnë të krijojnë një pikë mbështetjeje në Islandë, ku do të ankorohen anije luftarake, nëndetëse dhe mjete furnizimi. Kjo nismë vjen si pjesë e një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar në Reykjavik, me fokus në logjistikën detare.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me ministren e Jashtme islandeze, Þordís Kolbrun Reykfjorð Gylfadóttir, theksoi rëndësinë strategjike të Islandës:
“Këtu në veri të largët, Islanda po jep një kontribut jetik për mbrojtjen e krahut verior të aleancës.”
Islanda, anëtare themeluese e NATO-s që prej vitit 1949, nuk ka ushtri të rregullt, por ofron infrastrukturë portuale moderne. Gjermania po shqyrton dislokimin e përkohshëm të avionëve zbulues P-8A Poseidon, si pjesë e angazhimit të saj në rajon.
Ministrja Gylfadóttir e cilësoi Gjermaninë si “forcën udhëheqëse në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së Europës”, duke nënvizuar planet për bashkëpunim më të ngushtë me forcat ajrore dhe marinën gjermane.
Të dy vendet angazhohen gjithashtu në përballimin e sulmeve hibride dhe kërcënimeve ndaj komunikimeve në internet.
Lufta hibride përfshin mjete ushtarake, ekonomike, të inteligjencës dhe propagandës, me qëllim destabilizimin e shoqërive dhe ndikimin e opinionit publik.
KOHA JONË SONDAZH

