Gjermania heton menaxhimin e pandemisë, Spahn dhe Drosten në pyetje
Një komision hetimor i ngritur në Gjermani për të shqyrtuar menaxhimin e pandemisë së koronavirusit ka filluar të marrë në pyetje ekspertë dhe figura kyçe nga politika dhe shkenca. Së fundmi, janë thirrur si dëshmitarë ish-ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe virologu Christian Drosten.
Seanca dëgjimore publike, e mbajtur pak përpara Krishtlindjeve, fokusohej te roli i Spahn në fillim të pandemisë në vitin 2020, kur ai mori drejtimin e ministrisë nën qeverinë e Angela Merkel, koleges së tij në CDU. Një nga temat kryesore të hetimit ishte prokurimi i maskave mbrojtëse, që besohet të jenë blerë me çmime të fryra. Sipas një punonjësi të Zyrës Federale të Auditimit, 5.8 miliardë maska u blenë me rreth një euro secila, dhe më shumë se gjysma e tyre duhej të shkatërroheshin. Ekspertët e institucionit shtetëror e cilësuan këtë si një “mbi-prokurim masiv”.
Spahn, megjithatë, justifikoi vendimet e tij, duke theksuar se qëllimi kryesor ishte parandalimi i kolapsit të sistemit shëndetësor. Ai shpjegoi se furnizimi me maska ishte një sfidë globale: “E gjithë bota donte të njëjtën gjë në të njëjtën kohë. Ishte çështje jete a vdekjeje,” tha ish-ministri.
Virologu Drosten u pyet për përhapjen e shpejtë të virusit të frymëmarrjes dhe theksoi se rreziku i pandemisë rridhte nga transmetimi jashtëzakonisht dinamik i virusit. Ai vuri në dukje se, për shkak të paparashikueshmërisë së krizës, ishte e pamundur të veprohej sipas një modeli të vetëm dhe mbrojti vendimet e marra për mbylljen e shkollave dhe kufizimet shoqërore, duke i cilësuar si të nevojshme për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Hetimi gjerman ka si qëllim të nxjerrë mësime nga menaxhimi i pandemisë dhe të dokumentojë vendimet e marra në situata emergjente për të përmirësuar përgjigjen ndaj krizave të ardhshme shëndetësore.
KOHA JONË SONDAZH

