Gjermania: Jo tanke për Lituaninë

Qeveria gjermane refuzoi një kërkesë të Lituanisë, aleate dhe anëtare e NATO-s, për t’i shitur Vilniusit tanke tip ”Boxer”, që shërbejnë edhe si mjete transporti, njoftoi gazeta gjermane ”Die Welt”, që citon Ministrinë gjermane të Mbrojtjes.

Ashtu si edhe vende të tjera balltike, si Letonia dhe Estonia, që kanë qenë republika ish-sovjetike, Lituania ndihet e kërcënuar nga Rusia, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë.

“Në parim, ne përshëndesim modernizimin e trupave ushtarake lituaneze”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë.

“Ne po përpiqemi të mbështesim Lituaninë brenda mundësive tona. Në ndërkohë, shitja e makinave të blinduara të transportit nuk është aktualisht në planet tona”, theksoi ai.

”Arsyeja ka të bëjë me zgjerimin e vetë ushtrisë gjermane për misionet e saj”, tha zëdhënësi.

Sidoqoftë, analistë të çështjeve të mbrojtjes nga të dy anët e koalicionit qeveritar gjerman e kanë kritikuar vendimin e qeverisë.

SHKARKO APP