
Shpresa për hapjen e Lotarisë Amerikane DV-2027 është zbehur sërish. Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar përkohësisht zbatimin e një vendimi të mëparshëm, i cili detyronte administratën amerikane të niste procedurat për rihapjen e regjistrimeve. Vendimi i datës 29 tetor i jep administratës Trump mundësinë të vazhdojë pezullimin e programit, të paktën deri në përfundimin e shqyrtimit të ankimit në gjykatë.
Megjithatë, kjo nuk përbën një vendim përfundimtar mbi fatin e Lotarisë Amerikane. Gjykata e Apelit nuk ka dhënë ende një vlerësim përfundimtar mbi ligjshmërinë e pezullimit të programit nga Departamenti i Shtetit, por ka vënë në pikëpyetje të drejtën ligjore të paditësit për ta kundërshtuar këtë vendim. Çështja nisi pas padisë së studios ligjore të emigracionit Red Eagle Law, e cila kërkoi ndërhyrjen e gjykatës për të detyruar autoritetet amerikane të hapnin aplikimet për DV-2027.
Më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta vendosi në favor të studios ligjore, duke urdhëruar Departamentin e Shtetit të publikonte periudhën e regjistrimit deri më 29 tetor dhe të niste aplikimet më 1 nëntor. Por vendimi i ri i Gjykatës së Apelit ka ndalur përkohësisht zbatimin e këtij urdhri.
Programi Diversity Visa, i njohur gjerësisht si Green Card Lottery, ofron çdo vit deri në 55 mijë viza emigrimi për shtetasit e vendeve me nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt SHBA-së.
Çfarë ndodh tani me DV-2027?
Për momentin, regjistrimet mbeten të mbyllura dhe autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar një datë të re për hapjen e aplikimeve.
E ardhmja e Lotarisë Amerikane për vitin 2027 do të varet nga zhvillimet e mëtejshme në procesin gjyqësor. Pra, programi nuk është anuluar përfundimisht, por as hapja e regjistrimeve nuk është konfirmuar.
