Gjykata në Londër vendos: Assange nuk ekstradohet në SHBA

Themeluesi i faqes WikiLeaks, Julian Assange, nuk mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara. Kështu vendosi të hënën një gjykatë në Londër. Gjykatësja Vanessa Baraitser e bllokoi kërkesën për ekstradim, për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij mendor. Assange, 49 vjeç, kërkohet për shkak të publikimit të mijëra dokumenteve të klasifikuara të ushtrisë amerikane, më 2010 dhe 2011.

SHBA thotë se rrjedhja e atyre dokumenteve në publik, ka thyer ligjin dhe ka rrezikuar jetë njerëzish. Assange e ka luftuar ekstradimin dhe thotë se rasti i tij është i motivuar politikisht. Autoritetet amerikane thanë se vendimi do të apelohet. Assange është arrestuar në Londër me kërkesë të SHBA-së, pasi është dëbuar nga Ambasada e Ekuadorit, në prill të vitit 2019. Ai është strehuar në ambasadë qysh në vitin 2012, kur Ekuadori i ka dhënë azil politik. Ekipi i mbrojtjes ka thënë se Assange vuan nga probleme të shëndetit mendor, përfshirë tendencat vetëvrasëse, që mund të përkeqësohen nëse burgoset në SHBA.

Avokatët që veprojnë në emër të Qeverisë amerikane, kanë thënë se argumentet e ekipit të mbrojtjes nuk janë “as me vend, as të pranueshme”. Sipas tyre, gjendja mendore e Assanges “nuk është aq e rëndë saqë të përjashtohet ekstradimi”. Nëse dënohet në SHBA, Assange përballet me një dënim të mundshëm deri në 175 vjet burgim, kanë thënë avokatët e tij. Megjithatë, Qeveria amerikane ka thënë se dënimi ka më shumë gjasa të jetë katër deri në gjashtë vjet burgim.

SHKARKO APP