Gjysma e të rriturve në SHBA janë vaksinuar kundër COVID-19

Gjysma e të rriturve në SHBA kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan se gati 130 milionë njerëz, 18 vjeç e lart, kanë marrë së paku një dozë.

Kjo do të thotë 50.4 për qind e popullsisë. Sipas burimit të njëjtë, gati 84 milionë të rritur, apo një e treta e popullsisë, janë vaksinuar plotësisht.

Dy vaksinat që përdoren aktualisht në SHBA, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, duhet të jepen me nga dy doza, për të qenë sa më efektive.

Vaksina e tretë Johnson&Johnson, që është pezulluar javën e kaluar, për shkak të disa raporteve se mund të shkaktojë mpiksje gjaku, jepet me një dozë të vetme.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 31 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 567,000 kanë humbur jetën.

Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 141 milionë njerëz. Prej tyre, mbi tre milionë kanë vdekur dhe mbi 80 milionë janë shëruar.

SHKARKO APP