Goditet klani i rrezikshëm mafioz në Itali, sekuestrohen 19 milionë euro pasuri
Autoritetet italiane kanë goditur një ndër klanet më të rrezikshme mafioze, duke i sekuestruar miliona euro pasuri kriminale.
Mediat fqinje raportojnë se është zhvilluar këtë mëngjes mega operacioni “Apogeo”, i cili ka çuar në sekuestrimin e pasurisë së klanit mafioz “Spada”, që vepronte në bregdetin roman Ostia.
Guardia di Finanza me urdhër të Prokurorisë së Romës dhe pas hetimve të kryera nga Drejtoria e Antimafias ka vënë nën sekuestro pasurinë e klanit “Spada” me vlerë 18 milionë euro e fshehur në kompani e biznese nën emra fallco apo nën identitetetin e personave e familjarëve të tretë të lidhur me anëtarët e këtij klani.
Janë sekuestruar 10 shoqëri biznesi, 2 kompani e 6 klube sportive e kulturore si dhe menaxhimi në disa bare, lojëra fati, pika karburanti, furra buke, palestra, shkolla baleti, sallone automjetesh e firma ndërtimi.
Nën sekuestro është vënë dhe palestra në Ostia ku më nëntor të 2017 bosi mafioz Roberto Spada dhunoi dhe kërcënoi një ekip gazetarësh e operatorësh të RAI.
Klanit “Spada” iu konfiskuan dhe 2 vila në komunat Ostia e Ardea të Romës si dhe 13 automjete e llogari bankare.