Grabitet valixhja me 2.3 milionë euro në qendër të Tokios
Një grabitje e pazakontë për standardet japoneze ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qendër të Tokios, ku persona të panjohur kanë vjedhur valixhe që përmbanin rreth 2.3 milionë euro në para të gatshme, raportuan policia dhe mediat lokale.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi rreth orës 21:30, pranë Stacionit Ueno, një zonë e njohur turistike dhe një nga nyjet më të frekuentuara të transportit në kryeqytetin japonez. Tre sulmues përdorën gaz lotsjellës për të neutralizuar viktimat dhe për të sekuestruar valixhet me para, tha për agjencinë AFP një zëdhënës i policisë së Tokios, duke kërkuar anonimitet.
Mediat japoneze raportojnë se viktimat ishin pesë shtetas kinezë dhe japonezë, të cilët po përpiqeshin të ngarkonin valixhet në një automjet. Sipas televizionit Fuji TV, ata i kanë deklaruar policisë se shuma prej 420 milionë jenësh ishte e destinuar për zyra këmbimi valutor.
Në një incident të veçantë, por të ndodhur po atë mbrëmje, një burrë që mbante rreth një milion euro (190 milionë jen) në para të gatshme u sulmua gjithashtu me gaz lotsjellës nga tre persona në një parking pranë aeroportit Tokio-Haneda, raportojnë mediat vendase.
Policia japoneze po heton mundësinë e një lidhjeje mes dy ngjarjeve, sipas rrjetit televiziv TBS, ndërsa kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve vijojnë.
Incidentet kanë tërhequr vëmendje të gjerë, pasi grabitje të tilla me shuma kaq të mëdha parash janë jashtëzakonisht të rralla në Japoni, një vend i njohur për nivelin e lartë të sigurisë publike.
KOHA JONË SONDAZH

