Grabitje në Florida! Ndjekje spektakolare, 4 viktima
Dy grabitës të armatosur që përpiqeshin të largoheshin nga skena e krimit, rrëmbyen një kamionçinë, morën peng shoferin dhe më pas u ndoqën nga policia, në një operacion që përfundoi me viktima, në shtetin e Florida-s.
“Katër persona humbën jetën si pasojë e të shtënave në një rrugë të mbushur me kalimtarë, dy të dyshuarit, shoferi i kamionçinës dhe një kalimtar”, thanë agjentët e FBI-së.
Gjithçka filloi pasi dy persona të armatosur grabitën një argjendari në Majemi. Ndërsa ata u larguan nga vendngjarja, rrëmbyen një kamionçinë dhe morën peng shoferin. Të dyshuarit u futën me shpejtësi në rrugën ndërshtetërore në orët e pikut të mbrëmjes, duke kaluar nëpër disa konte, ndërsa oficerët e policisë i ndiqnin. Më shumë se 40 mjete të policisë ishin në ndjekje. Kur kamionçina mbeti e bllokuar në trafik, pasoi një përplasje me armë. I gjithë episodi u transmetua live i filmuar nga helikopterët e stacioneve televizive.
Imazhet nga vendngjarja tregonin dhjetëra mjete emergjence dhe shumë makina të tjera të ndaluara në mënyrë kaotike në rrugë. FBI, sipas mediave amerikane, po kryeson hetimin.
KOHA JONË SONDAZH

