Grekët përgatiten për zgjedhje, nesër votimi
Grekët do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohëshme vendimtare për fatet e tyre në lidhje me të ardhmen europiane të vendit.
Rreth 20 000 qendra votimi do të hapen në orën 7 të mëngjesit me orën lokale dhe në to pritet të drejtohen rreh 9 milionë votues, të cilët do të zgjedhin kryeministrin e ardhshëm dhe njëkohësisht vendimin për të vazhduar apo jo programin e shpëtimit me masa shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Të majtët e Syriza -s duket se do të fitojnë pa probleme shumicën, të paktën kështu thuhet nga sondazhet e kryera në mbarë vendin. Fushata e Syriza-s, e mbyllur të enjten, me një tubim gjigant, bazohet e gjitha te kundërshtimi i këtyre masave, mundësisht ndërprerja totale e tyre, ndalimi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe rishikimi i borxhit publik.
Nga ana tjetër, Samaras, i këshilloi votuesit që t’I qendrojnë planit dhe rrugës që ka ndërmarrë qeveria e tij, e cila ka arritur të nxjerrë vendin nga reçesioni ekonomik pas gjashtë vitesh.
Samaras: “Kam punuar çdo ditë e çdo natë për ta rregulluar këtë shtet. Riktheva besueshmërinë, drejtova një qeveri që për herë të parë e nxori buxhetin pozitiv, nisi uljen e taksave dhe për çdo muaj në dhjetë të undit, papunësia ka ardhur në rënie”
Kundërshtari i tij kryesor, lideri i Syriza-s, Aleksis Tsipras, në fjalimin e fundit të mbajtur të enjten u tha votuesve që t’I jepnin fund nënshtrimit ndaj Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Tsipras:“Të dielën nuk do të flasin më huadhënësit dhe mëkëmbsit e tyre në Greqi. Të dielën do të flaës populli grek dhe do të japë një përgjigje të qartë: nuk ka më masa shtrënguese, nuk ka më nënshtrim, nuk ka më shantazh!”
Në disa sondazhe, Syriza kryeson ndaj Demokracisë së Re me 5,3 pikë, ndërsa në të tjerë kjo diferencë arrin deri në 6 pikë. Me këto shifra, ajo merr në parlament 36% të votave, çka i jep të drejtën automatike për të krijuar qeverinë e re.
Në zgjedhje garojnë plot 22 parti
Pas Syriza-s dhe Demokracisë së Re, në vend të tretë është Partia Potami, e drejtuar nga një prezantues televiziv.
Edhe pse parti vetëm njëvjeçare, Potami parashikohet të bëjë për vete 8% të votave. Lideri i saj, Stavros Teodorakis thotë se asnjë parti nuk duhet të vërë në rrezik vendin e Greqisë në eurozonë, duke lënë të kuptohet se do të bashkohet në një koalicion të mundshëm me Demokracinë e Re, nëse do të arrijnë të marrin numrin e mjaftueshëm të deputetëve.
Sipas Kodit Zgjedhor, partitë duhet të sigurojnë të paktën 3% të votive për të hyrë në parlament. Partia që fiton më shumë, automatikisht merr 50 vende më shumë nga 300 në total.
Zgjedhjet greke po monitorohen nga afër edhe nga aktorët e tregjeve financiare në mbarë Europën, të cilët i frikësohen fitores së Syriza-s dhe ballafaqimit të saj me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Përveç grekëe në atdhe, edhe ata në Gjermani janë në ankth për fatet e kombit të tyre. Një prej tyre është Jani Sotiriadis, i cili drejton një bistro në Berlin.
Ai pranon se në Gjermani mund të punosh dhe të fitosh me ndershmëri, ndërsa në Greqi, vetëm lidhjet me njerëzit e duhur ta sigurojnë këtë.
Edhe pse nuk mund të votojë të dielën, ai pret që bashkëkombasit e tij të japin një sinjal të fortë në të gjithë Europën se ka edhe mënyra alternative për të bërë gjërat.