Greqi, Stavros Dimas, kandidat për President

Samaras e komunikoi kandidaturën nëpërmjet një mesazhi të drejtëpërdrejtë televiziv. I gjithë mesazhi i kryeministrit Samaras ka si më poshtë:

“Zgjedhja e presidentit të Republikës ishte shndërruar kohët e fundit në një pretekst për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe kështu, ndërsa në pikëpamje ekonomike ishim stabilizuar dhe kishim hyrë më në fund në një kurs zhvillimi, u krijuan sërish retë e destabilitetit politik brenda në Greqi dhe të një pasigurie politike për Greqinë jashtë vendit. Ashtu siç ishte e obliguar të bënte, qeveria jonë vendosi ta largojë këtë pasiguri dhe të vendosë plotësisht stabilitetin politik, duke përshpejtuar procedurën e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

Përndryshe, vendimi i djeshëm i Eurogrupit për të miratuar linjën preventive të kreditimit dhe të japë një shtyrje teknike prej dy muajsh për finalizimin e marrëveshjes së re, tregon se edhe në Europë po vetëdijësohen tashmë se Greqia do të kalojë në ditën tjetër. Dhe kjo është veçanërisht pozitive për vendin.

Kështu, me zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti Grek deri në fund të muajit, do të jenë pastruar retë dhe vendi ynë do të jetë gati të futet edhe zyrtarisht në epokën pas memorandumit.

Kështu, përzgjodhëm bashkë me nënkryetarin e qeverisë kandidaturën më të mirë për Presidencën e Republikës: Stavros Dimas, ish ministër dhe deputet, komisioner i Greqisë në Bashkimin Europian, ku pati nderime të veçanta, posaçërisht në fushën e ndjeshme të mbrojtjes së mjedisit, një njeri që nderohet nga shoqëria greke, por edhe respektohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe që sigurisht do të jetë kandidat në të tre votimet, nëse do të nevojiten.

Stavros Dimas pranohet përgjithësisht nga të gjithë si një njeri që bashkon, por edhe inspiron. I bashkon qytetarët përtej preferencave partiake dhe insipron seriozitet, besim dhe respekt.

Me zgjedhjen e presidentit të ri Greqia, absolutisht e qëndrueshme ekonomikisht, por edhe politikisht tashmë, do të jetë nga çdo pikëpamje e gatshme që të avancojë në ditën e nesërme. Ditën e qetësisë, të stabilitetit dhe të zhvillimit”, përfundon mesazhi i kryeministrit.

SHKARKO APP