Greqia dorzoi në Bruksel paketën e reformave

Nga Kujtim VANI

Komisioni Europian ka konfirmuar se rreth mesnatës së të hënës ka marrë një letër me paketën e parë të reformave, nga ministri grek i financave, Janis Varufaqis, drejtuar presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Lista e reformave të qeverisë greke mbërriti në kohë”, shkruajti në rrjetin social Twitter, zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas. Dërgimit të letrës i ka paraprirë një shkëmbim konstruktiv pikëpamjesh gjatë fundjavës, ndërmjet autoriteteve greke dhe përfaqësuesve të KE. Sipas opinionit të Komisionit, lista është mjaftueshmërisht e plotë (sufficently comprehensive), kështu që të përbëjë një pikënisje serioze për një konkludim të suksesshëm të vlerësimit, ashtu siç u kërkua nga Eurogrupi në takimin e fundit. Një element veçanërisht inkurajues është angazhimi i fuqishëm për luftimin e evazionit fiskal dhe të korrupsionit. Të njëjtat burime theksojnë se pritet që një specifikim i mëtejshëm i reformave të paraqitet dhe të dakordohet para fundit të muajit prill, sipas komunikatës së Eurogrupit javën e kaluar. Burimet nënvizojnë gjithashtu se zbatimi me vendosmëri dhe menjëherë i gjithë angazhimeve sa i përket reformave, përbëjnë çelës për konkludimin e suksesshëm të vlerësimit.

Sipas burimeve qeveritare, lista e reformave përfshin:

Swiss Digital Desktop Reklama

1.Gjithë aksi i parë i programit të prezantuar në shtator 2014 në Selanik, që ka të bëjë me përballimin e krizës humanitare.

Swiss Digital Mobile Reklama

2.Një pjesë të madhe të aksit të dytë të të njëtit program, që ka të bëjë me ristartimin e ekonomisë reale, me prioritet emergjent rregullimin e detyrimeve të pashlyera, kreditë e këqija si dhe ndalimin e nxjerrjes në ankand të banesave të para.

3.Në listë përfshihen gjithë reformat strukturore të qeverisë greke të aksit të katërt të Selanikut, si:

a) Një sistem i drejtë tatimor

b) Luftim i evazionit fiaksl

c) Luftim i korrupsionit

d) Luftim i kontrabandës (posaçërisht në karburante dhe në duhan)

e) Riorganizim i sektorit publik, reduktim i burokracisë.

Ja edhe deklaratat e përfaqësive të BE-së dhe Eurozonës, para dorzimit të programit nga qeveria greke:

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker shprehet se “Nuk do të ketë dalje të Greqisë nga euro”

 Sigurinë e tij se Greqia nuk do të dalë nga euro, shpreh në një intervistë për revistën ekonomike gjermane “WirtschaftsWoche” presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili ndërkaq, vëren se qeveria e re greke ka bërë gabime dhe se edhe grekët kanë përgjegjësi për krizën. Kreu i KE vë gjithashtu në dukje se “është e kuptueshme se gjithë detyrimet kundrejt partnerëve europiane dhe ndërkombëtarë të Greqisë duhet të respektohen”. “Kjo duhet të përbëjë bazën për çdo marrëveshje”, shton Juncker. “Kur një kryeministër i shan gjermanët dy herë brenda një jave, nuk e konsideroj këtë një trajtë politike të nivelit të lartë, por që shpie në ringjalljen e ndjenjave të pakëndshme”, thekson Juncker. Në të njëjtën kohë, presidenti i KE vë në dukje se klima ndërmjet Europës dhe qeverisë greke do të duhet të jetë miqësore dhe të ulet tensioni. Deri në verë do të duhet të jemi në gjendje që të biem dakord me qeverinë greke për një program të ri reformash, me karakter zhvillimor për Greqinë, thekson Juncker.

Ndërkohë komisioneri i financave të BE-së Moscovici, ka deklaruar se nuk ka plan B për Greqinë jashtë Eurozonës. “Jo vetëm që nuk e shqyrtoj një plan daljeje të mundshme të Greqisë, por edhe e ndaloj të shqyrtohet diçka e tillë”, deklaroi komisioneri i BE për financat, Pierrë Moscovici, duke folur në televizionin publik France 2. Deklarata u bë në përgjigje të pyetjes së gazetarit, nëse edhe vetë Moscovici po shqyrton një skenar të mundshëm të daljes së Greqisë nga euro, që, sipas revistës gjermane Der Spiegel, po shqyrton Banka Qendrore Europiane. “Komisioni Europian dëshiron realisht qëndrimin e Greqisë në Eurozonë dhe nuk ekziston absolutisht asnjë plan tjetër. Besoj vërtet se jemi në rrugën e duhur. Po pres programin e reformave duke shpresuar se është bërë e kuptueshme që duhet të jemi njëkohësisht ambiciozë por edhe realistë”, deklaroi Moscovici.

Edhe Berlini nga ana e vet, megjithë mosmarveshjet e konsideron të mundshme gjetjen e zgjidhjes për Greqinë. Qeveria gjermane e konsideron të mundshme dhënien e miratimit nga parlamenti vendas për zgjatjen e programit grek, të enjten apo të premten, deklaroi zëdhënësi i Kancelarisë, Steffen Seibert, ndërsa nga ministria gjermane e financave u deklarua se kërkesa përkatëse do të depozitohet në parlament në kohën e duhur. “Natyrisht, të gjitha varen nga cilësia e listës që do të dërgohet nga Athina”, sqaroi Seibert. “Ditët e fundit kanë treguar se është absolutisht e mundur që të gjendet zgjidhje”, deklaroi Seibert, ndërsa zëdhënësi i Wolfgang Schauble-s, Martin Jager, tha se ministri gjerman i financave ka bërë faktikisht dy informime për deputetët e partive të koalicionit qeveritar. Sa i përket përmbajtjes së programit, zëdhënësi i ministrit Scahuble theksoi se ekzistojnë “disa liri për qeverinë greke, mirëpo brenda kuadrit të programit. Gjithmonë kemi thënë që nëse Greqia ësht brenda një programi, ekziston edhe elasticitet”, tha Jager.

“Mundësia e daljes nga eurozona nuk diskutohet”, ka theksuar edhe drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, duke nënvizuar se “ajo që po diskutohet është se si njeri do t’i besojë tjetrit, që të vazhdojmë së bashku”. Në intervistë për gazetaren greko-amerikane Arianna Huffington, për portalin Huffington Post, dhe duke u përgjigjur ndërmjet të tjerash edhe pyetjeve për Greqinë, kreu i FMN tha se “ka ardhur momenti të dëgjojmë njeri-tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi progres”.Sipas znj. Lagarde, “në këtë moment, çështja ka të bëjë krejtësisht me ekonominë greke. Ajo që kërkohet është që ekonomia greke, përmes një plani të kompletuar, të mund të bëhet më e fuqishme dhe më eficente, kështu që të jepet mundësia e krijimit të vendeve të punës”.

Banka Europiane e Investimeve do të vazhdojë financimin e projekteve të qëndrueshme

Në Greqi kishim aktivitete para krizës, ishim ata që qëndruam gjatë krizës dhe predispozicioni ynë është që të qëndrojmë edhe pas krizës, deklaroi presidenti i Bankës Europiane të Investimeve (BEI), Werner Hoyer, duke prezantuar raportin vjetor të bankës, në Bruksel. Sipas zotit Hoyer, përcaktuese është procedura që ka filluar të premten me vendimin e Eurogrupit dhe siç tha, “Shpresoj të konkludojë në rezultate praktike katër muajt e ardhshëm, ndërsa po aq të rëndësishme janë edhe 24 orëshat e ardhshëm, deri në finalizimin e marrëveshjes”. Presidenti i BEI theksoi më tej se raporti i bankës për Greqinë është veçanërisht i rëndësishëm dhe shuma e parave që janë alokuar arrijnë në 16,9 miliardë euro, që do të thotëp 9,4% të PPB-së së Greqisë. I pyetur nëse mund të bëjmë më shumë, Hoyer tha se “po qe se ka projekte të mira dhe të qëndrueshme, BEI është e gatshme t’i shqyrtojë”. Në të njëjtën kohë, si shtoi se tash për tash nuk parashikohen programe të reja për t’u financuar, por vuri në dukje se fondet që i janë akorduar Greqisë “të lenë pa frymë”, duke shënuar një rritje kolosale vitet e fundit. 

Mogherini: Dialog midis Athinës dhe BE, pa ultimatume

Marrëveshjes që u arrit të premten midis Greqisë dhe Eurogrupit iu referua Federica Mogherini, përfaqëuse e lartë e politikës së jashtme të BE, gjatë një interviste për televizionin publik italian, RAI. “Askush nuk do që Greqia të dalë nga euro. Marrëveshja e të premtes së kaluar karakterizohet edhe nga disa limite, mirëpo qysh nesër ekziston mundësia që të zhvillohet një dialog i ri, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa ultimatume”, deklaroi politikania italiane. “Athina është Europa. Askush në BE nuk jep nota dhe askush nuk ekzekuton urdhëra. Logjika, sipas të cilës i referohemi mësimeve që duhet të bëjë dikush, është e gabuar”, shtoi Mogherini.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?