Greqia në refendum popullor nëse nuk arrihet Marrëveshja

 

Kujtim VANI

Sigurinë se kancelarja Merkel dëshiron zgjidhjen për Greqinë, shprehu kryeministri Aleksis Cipras gjatë një interviste për televizionin “Star”, duke nënvizuar gjithashtu se një zhvillim i padëshirueshëm dhe një falimentim i vendit, do të ishte dështim edhe për zonjën Merkel, edhe për Greqinë. Programi që u zbatua në Greqi, tha kryeministri, nuk dha fryte dhe mbolli dhimbje e dëshpërim tek miliona grekë. Cipras deklaroi se ndodhet në negociatat të ashpra, ndërsa vuri në dukje se ka forca të cilat i interpretojnë sipas interesit pikat e marrëveshjes së 20 shkurtit, që ishte një sukses për Greqinë. I pyetur nëse u bënë gabime dhe përse Greqia nuk mori atëherë para, Cipras tha se gabimet janë njerëzore, ndërsa nënvizoi se Banka Qendrore Europiane (BQE) mori më 18 shkurt vendimin që të vejë tavan bonot e thesarit grek dhe kështu eliminuan mundësinë që bankat të rifinancojnë në vlerën 6 miliardë euro borxhin. Kemi marrë angazhimin se vendimi i BQE do të ndryshojë sapo të arrihet marrëveshja dhe gabimi ynë është se nuk morën angazhim me shkrim, por vetëm verbalisht, tha zoti Cipras. Kryeministri tha më tej se, sigurisht, nuk e grisëm përnjëherë memorandumin, por është një shans nga Greqia që të largohet nga angazhimet e qeverisë së mëparshme. Do të ishte e lehtë, shtoi, një firmë dhe të shkojmë në marrëveshje, mirëpo nuk e kam këtë mandat nga populli. Kryeministri deklaroi se qeveria e mëparshme, në bashkëpunim edhe me qendra të tjera, i ngriti kurth qeverisë me shtesën dymujore të afatit që mori para zgjedhjeve, duke synuar të ishim “një parantezë”, gjë që e duan akoma. Mirëpo kjo do të thotë se vendi do të futet në aventura. Ata përgjojnë që qeveria të rrëzohet dhe nuk duan t’ia dinë nëse kjo do të ketë pasoja, theksoi Cipras. Kryeministri nënvizoi se edhe deklaratat se nuk kemi plan, program dhe propozime, janë pjesë e negociatave, se publikohen lajme të rreme, pa dashur – siç theksoi që të fsheh dobësi që eventualisht ekzistojnë. Për rikompozimin e grupit të negociatave dhe pozicionin e zotit Varufaqis, kryeministri deklaroi se zoti Varufaqis është shumë i rëndësishëm për qeverinë dhe vendin, i ka bezdisur partnerët pse e flet gjuhën e tyre më mirë nga ç’e flasin ata vetë, ka pikëpamje radikale dhe nuk tërhiqet. Mirëpo, negociatat nuk i përkasin një personi. Cipras e mbrojti zotin Varufaqis edhe për mungesën e tij nga darka e ministrave të Eurogrupit në Riga. Kryeministri hodhi poshtë deklaratat se Varufaqis ishte i izoluar, duke thënë se të njëjtën gjë thonë edhe për takimet e tjera, gjë që nuk është e vërtetë. Sigurisht, tha Cipras, ata nuk duan të kenë përballë zotin Varufaqis, ndërsa theksoi besimin e tij ndaj ministrit të financave. Kryeministri e la të hapur mundësinë që t’i drejtohet verdiktit të popullit, jo nëpërmjet zgjedhjeve, por me referendum, duke theksuar që nëse do të ketë përpara një marrëveshje e cila do të ndodhet jashtë mandatit popullor, nuk do të ketë të drejtën që të shkelë mandatin dhe do të vendosë populli grek nëse do të duhet ta pranojë marrëveshjen. Cipras shprehu një optimizëm të përmbajtur se gjërat nuk do të arrijnë në atë pikë dhe shtoi se shpreson që do të dominojë arsyeja dhe do të shkojmë në një kompromis të ndershëm. Ndërkohë në kahun e një marrëveshjeje graduale, hap pas hapi me institucionet po avancon qeveria, siç e bënë bashkarisht të qartë ministri i financave, Janis Varufaqis dhe ministri alternat i marrëdhënieve ekonomike, Euklidis Cakalotos, në përfundim të mbledhjes së parë të “grupit politik të negociatave” me institucionet. Drafti që po hartohet dhe me të cilin qeveria synon të arrijë një marrëveshje graduale me institucionet, do të bazohet në “listën Varufaqis”, do të jetë gati deri të martën në mbrëmje dhe pritet të diskutohet në këshillin e ministrave të enjten. Sipas ministrit të financave, lista u pasurua në pikëpamje cilësore dhe drafti nuk do të përmbajë kreditë e këqija, por as ndërhyrjet në sistemin e sigurimeve shoqërore. Nga ana e vet, Cakalotos tha se “vazhdimisht mësojmë nga përvojat dhe gabimet tona. Kolektive janë fitoret dhe sukseset, kolektive edhe gabimet. Kështu punojmë, kështu do të vazhdojmë, me frymë kolektiviteti. Qeveria është e bashkuar, grupi i negociatave është i bashkuar”.

Samaras, kontakte në Parlamentin Europian për arritjen e marveshjes

 

Takime me zyrtarë të Parlamentit Europian do të zhvillojë sot në Strasburg, edhe kryetari i Demokracisë së re, ish kryeministri Antonis Samaras, në kuadër të një veprimtarie të Partisë Popullore Europiane (PPE), ku do të mbajë dhe një ligjëratë. Samaras do të takohet me presidentin e PE, Martin Schulz, kreun e grupit parlamentar të socialistëve, Gianni Pittella, shefin e grupit parlamentar të liberalëve demokratë. Guy Verhofstadt, ndërsa nuk përjashtohet të ketë edhe takime të tjera dypalëshe. Objektivi i zotit Samaras është të mbështesë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes dhe t’u nënvizojë partnerëve se populli grek nuk dëshiron daljen nga eurozona. Në Demokracinë e Re vlerësojnë se strategjia e përplasjes me partnerët, që konsiderojnë se po zbaton qeveria, shpie në situata shumë të vështira për ekonominë greke. Në këtë sens kërkojnë nga qeveria që të avancojë menjëherë në marrëveshje me partnerët, duke realizuar njëkohësisht edhe angazhimet që ka ndërmarrë vendi. Shpresën se Greqia do të paraqesë në kohë propozimet e veta, para takimit të ministrave të financave të eurozonës të 11 majit, ka shprehur edhe zëdhënësi i Wolfgang Schauble-s, ministrit gjerman të financave. “Objektivi ynë është ta mbajmë Greqinë në euro. Prandaj po punojmë intensivisht. Mirëpo do të duhet të bëjmë të qartë edhe një herë tjetër se topi është në fushën e Greqisë”, deklaroi zëdhënësi Martin Jaeger. “Presim propozimet dhe i prersim me javë të tëra. Është zhgënjyese, por jemi të duruar”, nënvizoi Jaeger, duke shtuar se shpreson që Greqia do t’i paraqesë propozimet para takimit të programuar të Eurogrupit më 11 maj.

SHKARKO APP