Greqia rrit pagën minimale me 7.7%

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar rritjen e pagës minimale me 7.7%. Ai ka njoftuar rritjen me 50 euro të saj nga data 1 maj e këtij viti, duke e çuar atë nga 663 euro, në 713 euro bruto. Është hera e dytë që Greqia ndryshon pagën minimale ,pas rritjes së saj me 2% në janarin e këtij viti.

Gati 650,000 punonjësit e kësaj kategorie do të përfitojnë më shumë se një pagë neto shtesë në vit. Një pagë e 15-të i shtohet tani e tutje të ardhurave të tyre.

Rritja e dytë e pagës minimale vjen në një periudhë kritikash ndaj qeverisë Mitsotakis, pasi shumica e qytetarëve po përballojnë një valë të paparë rritjesh së çmimeve të gazit të ngrohjes, karburanteve, artikujve ushqimorë dhe sidomos faturave të energjisë elektrike.

Greqia ble më shtrenjtë se çdo shtet në Europë energjinë elektrike dhe partitë opozitare kritikojnë gjithmonë e më shpesh qeverinë Mitsotakis për paaftësinë e saj në përballimin e kësaj situate që ka sjellë edhe inflacionin më të madh të tre dekadave të fundit.

SHKARKO APP