Greqia sekuestron 350 kg heroinë, dy sllovakë në pranga
Këtë radhë lënda narkotike nuk vinte nga Shqipëria dhe nuk kishte asnjë shqiptar të përfshirë në sasinë më të madhe të drogës, që është kapur për këtë vit në Greqi.
Policia greke sekuestroi 350 kilogramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Lajmi bëhet publik prej burimeve policore në Patra të Greqisë, te cilat sqarojnë se droga ishte fshehur në dy kamionë me targa sllovake dhe u kap gjatë një aksioni të përbashkët të antidrogës greke në bashkëpunim me rojën bregdetare dhe shërbimet e fshehta greke dhe ato amerikane. Policia njoftoi se janë arrestuar dy shtetas sllovakë që ishin dhe shoferët e kamionëve dhe ka shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë, mes tyre edhe kokat e trafikut,që ishin dy shtetas grekë 48 dhe 52 vjeç. Efektivët kanë kontrolluar edhe dy magazina që shërbenin për lëndën narkotike, por ende nuk bëhen publike detajet e operacionit.
Heroina vinte nga Afganistani nëpërmjet Turqisë dhe dërgohej me shoqëri transporti në Greqi, prej nga ku edhe shpërndahej në vende të Europës Perëndimore. Policia pretendon se ka shkatërruar një prej linjave me të mëdha të trafikut të lendeve narkotike në Europë. Kjo është sasia më e madhe e lëndëve narkotike të kapura për këtë vit në Greqi, pas bllokimit të trafikut të narkotikeve nga Shqipëria