Greqia synon të bëhet qendra e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë
Në një moment kyç për strategjinë energjetike të Bashkimit Evropian, Greqia ka shpallur ambicien për t’u kthyer në një portë hyrëse për gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës, ndërsa kontinenti synon të shkëputet nga varësia ndaj gazit rus deri në vitin 2027.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis prezantoi vizionin e vendit në konferencën ndërkombëtare të energjisë “Partneriteti për Bashkëpunim Transatlantik të Energjisë” (P-TEC), që po zhvillohet në Athinë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga mbi 20 vende evropiane, si dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë sekretarin e Energjisë Chris Wright dhe sekretarin e Brendshëm Doug Burgum,
“Ndalimi i gazit natyror rus është një mundësi për të riformësuar strategjinë energjetike të Evropës Juglindore,” tha Mitsotakis, duke theksuar rolin kyç që Greqia mund të luajë në këtë transformim.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me administratën Trump për blerjen e energjisë amerikane – naftë, LNG dhe teknologji bërthamore – me vlerë 250 miliardë dollarë në vit për tre vitet e ardhshme. Kjo është pjesë e strategjisë për të hequr gradualisht gazin rus nga zinxhiri energjetik evropian deri në fund të vitit 2027.
“Rusia nuk mund të mbështetet si furnizuese e energjisë,” tha sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, duke përforcuar mesazhin e partneritetit transatlantik.
KOHA JONË SONDAZH

