Grevat “paralizojnë” Parisin – Protesta kundër planeve të Macron për sistemin e pensioneve

Punëtorët e hekurudhave, mësuesit dhe mjekët e emergjencës nisën një nga grevat më të mëdha  në dekada të sektorit publik në Francë,  në përpjekje për të detyruar presidentin Emmanuel Macron që të braktisë planet e riorganizimit të sistemit të pensioneve.

Rrjetet e transportit në Paris dhe qytete të tjera u bllokuan, ndërkohë që sindikatat u përgatitën për një protestë që kërcënon të paralizojë Francën për ditë me radhë.  Kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha për agjendën e Macron që prej protestave të “jelekëve të verdhë”.

Stacionet e metrosë në Paris u boshatisën gjatë periudhës me më shumë fluks, ndërkohë që njerëzit zgjodhën mënyrë alternative të transportit apo punuan nga shtëpia.  Sipas lajmërimeve, 11 nga 16 linjat e metrosë së Parisit ishin mbyllur dhe rrjeti shtetëror i hekurudhave SNCF bëri të ditur se vetëm 1 në 10 trena që i shërbejnë lagjeve të kryeqytetit do të jenë funksionale.

Macron kërkon të prezantojë një sistem të pensioneve të vetëm të bazuar në pikë, nën të cilin çdo ditë pune grumbullon pikë për përfitimet e pensioneve.  Kjo përbën një ndryshim të madh nga plani ekzistues me 42 skema të ndryshme të bazuar në sektorë specifikë, ku secili ka nivele ndryshme të kontributeve dhe përfitimeve.

SHKARKO APP