Haradinaj akuzon Kurtin: Qeveria më e keqe në histori
Deputetët e opozitës fajësojnë qeverinë për krizën energjetike me të cilën po përballet vendi. Ferat Shala, nga radhët e PDK-së, tha në seancën e së premtes se kriza do të sjellë humbje prej qindra miliona eurosh në vend. Ai i kërkoi kryeministrit Albin Kurti të shpallë gjendjen e emergjencës.
Qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa çmimet janë rritur me 14%. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përdori fjalë të forta për të kritikuar ekzekutivin, duke e cilësuar qeverisjen Kurti si më të keqen në histori.
Ai sulmoi qasjen e qeverisë ndaj politikës së jashtme, krizës energjetike dhe pandemisë. Haradinaj tha se qeveria po e vështirëson qëndrimin e emigrantëve në Kosovë, duke lënë në fuqi orën policore.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, vlerësoi punën e qeverisë gjatë vitit 2021, duke thënë se vendi ka nivelin më të lartë të vaksinimit kundër Covid-19 dhe të zhvillimit ekonomik në rajon.