Helikopterit ushtarak amerikan i “fluturon” dritarja dhe godet shkollën

Një pjesë e një helikopteri amerikan është rrëzuar në një shkollë në Okinawa të Japonisë, duke rizgjuar tensionet në popullatën lokale.

Dritarja ra në sheshet e shkollës, duke plagosur lehtë një djalë, tha agjencia e lajmeve Kyodo.

Ishulli jugor i Okinawa pret praninë ushtarake amerikane më të madhe në Japoni.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë viteve të fundit, një numër aksidentesh dhe krimesh kanë çuar në rritjen e kundërshtimit lokal ndaj bazës amerikane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë Yoshihide Suga tha se “ky lloj incidentika krijuar ankth jo vetëm tek personat që ishin në shkollë por në gjithë popullin e Okinawa dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”.

Ushtria amerikane konfirmoi në një deklaratë se dritarja e një prej helikopterëve të saj ra në fushën sportive të një shkolle fillore, jashtë stacionit të korpusit të Marinës Amerikane në Futenma.

“Ne e marrim këtë raport jashtëzakonisht seriozisht dhe po hetojmë shkakun e këtij incidenti në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale”, thuhet në deklaratë.

“Ky është një incident i trishtueshëm dhe ne kërkojmë falje për çdo ankth që ka shkaktuar komuniteti”.

Prania e Shteteve të Bashkuara në Okinawa është një pjesë kyçe e aleancës së sigurisë të pas luftës mes dy vendeve.

Baza e Futenma është e vendosur në një zonë banimi, me shkolla, dyqane dhe spitale. Banorët kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për aksidentet e mundshme.

Në tetor, një helikopter amerikan shpërtheu në flakë në Okinawa veriore pas një përplasje.

Në nëntor, një ushtarak amerikan shkaktoi një aksident vdekjeprurës në ishull. Kur ekspertiza provoi se shoferi ishte në gjendje të dehur, ushtria amerikane ndaloi të gjithë ushtarët e vendosur në Japoni të pinin alkool.

Qeveria amerikane dëshiron të lëvizë nga Futenma, baza më e madhe detare në Okinawa, në një vend më të largët në ishull.

Por Guvernatori i Okinawa, Takeshi Onaga, është duke udhëhequr një fushatë për të hequr bazën ushtarake amerikane nga ishulli.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?