Hetimi kundër Trump, votimi në dhomën e përfaqësuesve
Demokratët kanë përcaktuar tashmë agjendën për votimin mbi vënien nën akuzë të Donald Trump.
Para votimit për të ashtuquajturin Impeachment të presidentit në dhomën e përfaqësuesve, do të ketë gjashtë orë debat dhe secila nga dy akuzat do të votohet në mënyrë të ndarë. Pasi deputetët të shprehen mbi vënien ose jo nën akuzë të Trump, dhoma do të vazhdojë me votimin për ata që do të drejtojnë procesin e impeachmentit në senat.
Ndërkohë, me mijëra njerëz kanë zbritur në sheshe në disa qytete, nga Bostoni në Nju Jork, pa kursyer as Sharlotën dhe Filadelfian, për të protestuar kundër Trump. “Regjimi Trump/Pence, duhet të rrëzohet”, lexohej në disa pankarta.
Në pritje të votimit, presidenti amerikan, i ka drejtuar një letër të ashpër kryesueses së dhomës së përfaqësuesve, demokrates Nensi pelozi.
“Asnjë person me mend në kokë nuk beson atë që po thoni ju”,shkruan Trump. Nëse vazhdoni në këtë rrugë, atëherë do të jetë historia ajo që do t’ju gjykojë ju pa mëshirë. Trump e akuzon Pelosin se i ka shpallur luftë të hapur demokracisë amerikane ndërkohë që edhe një herë, deklaron se nuk ka bërë asnjë shkelje. Akuzat në adresë të Trump, që do të votohen gjatë orëve të vona të mbrëmjes, sipas orës sonë, me shumë gjasë do të kalojnë në dhomën me shumicë demokrate.
Por do të duhej edhe një votë pro në senatin me shumicë republikane për të çuar në gjykim presidentin. Në teori, kjo do ta shkarkonte atë nga detyra, edhe pse ka pak gjasa të ndodhë pasi në senatin e kontrolluar nga republikanët, duhet një shumicë prej dy të tretave të votave.