Hezbollahu: 1 miliardë arabë janë gati të mbështesin Gazën
Do t’ju duhet një copë e madhe letre për të renditur çdo krizë kombëtare me të cilën është përballur populli i Libanit gjatë 50 viteve të fundit. Ky komb multifetar ka luftuar prej kohësh për ta bërë veten të funksionojë, me mosmarrëveshjet politike që përfunduan në konfrontim të dhunshëm dhe një luftë civile 15-vjeçare.
Situata aktuale ofron pak arsye për t’u ndjerë i gëzuar, ndërsa një qeveri e përkohshme përpiqet të kapërcejë një krizë ekonomike katastrofike.
Megjithatë, njerëzit kanë diçka tjetër për t’u shqetësuar, pasi sulmi i Hamasit mbi civilët në Izrael kërcënon edhe Libanin me përfshirjen në një lufte gjithëpërfshirëse me Tel Avivin, e cila po afrohet gjithmonë edhe më tepër në kufirin e tyre jugor.
Fraksioni më i fuqishëm i vendit, grupi shiit Hezbollah, është aktualisht i përfshirë në një betejë kokë më kokë me izraelitët, kryesisht duke u luftuar brenda disa kilometrave të kufirit të tyre të përbashkët.
Por ky konflikt i kufizuar mund të ndryshojë shpejt, pasi lideri i Hezbollahut të mbështetur nga Irani, Hassan Nasrallah, ka shprehur pa kushte mbështetjen ndaj militantëve të Hamasit.
Në një fjalim të transmetuar javën e kaluar, Nasrallah paralajmëroi se “të gjitha opsionet janë të hapura”.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është a e mbështet populli i Libanit një luftë të plotë me Izraelin?
Të gjithë e dinë se sa shkatërruese do të ishte një luftë, sepse Libani e ka kaluar atë më parë.
Në vitin 2006, Hezbollahu dhe Izraeli u përballën në një luftë katastrofike 33-ditore, e cila zhvendosi një milion njerëz në Liban. Pjesë të mëdha të Bejrutit jugor u shkatërruan nga bombardimet izraelite.
Ish-kryeministri, Fouad Siniora, i cili mori meritat për udhëheqjen e negociatave që zgjidhën atë konflikt në një intervistë ekskluzive me Sky News, tha se Libani nuk mund të përballojë një luftë tjetër.