Hillari Klinton kërkon publikimin e Email-eve private

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Klinton, i ka kërkuar Departamentit të Shtetit publikimin e Email-eve nga llogaria e saj private, që ajo përdori për qeverinë amerikane gjatë kohës kur ishte në krye të këtij departamenti.

“Kërkova që opinioni publik të shohë email-in tim,” deklaroi Klinton.

“I kërkova Departamentit të Shtetit t’i publikojë ato. Më thanë se do t’i publikojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo.

Kandidatja e padeklaruar e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 ka qenë në qendër të diskutimeve politike që nga dita e hënë, kur gazeta ”New York Times” njoftoi se Klinton nuk kishte email zyrtar dhe se kishte përdorur email-in privat për çështje shtetërore.

”Gjatë katër viteve në Departamentin e Shtetit, Klinton nuk ka pasur kurrë një adresë elektronike të qeverisë federale, por ka përdorur një adresë personale më pak e mbrojtur nga rreziqet e piratimit”, nënvizoi e përditshmja.

”Asistentët e saj nuk kanë marrë asnjë masë në atë kohë për të mbrojtur adresën e saj personale në serverët e Departamentit të Shtetit ashtu siç e kërkon ligji federal për arkivat”, theksoi gazeta, që nënvizoi se kjo mund të përbëjë një shkelje të ligjit federal që parashikon se korrespondenca e personaliteteve zyrtare duhet ruajtur në arkiva.

SHKARKO APP