Hillary Clinton: Nuk e kam takuar kurrë Epsteinin dhe nuk e kam pasur idenë e krimeve të tij
Nuk e kam takuar kurrë Epsteinin dhe nuk e kam pasur idenë e krimeve të tij, deklaroi ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton në deklaratën e saj të hapjes para Komitetit Mbikëqyrës në Nju Jork. “Nuk kam hipur kurrë në aeroplanin e tij, as nuk kam shkelur kurrë në shtëpinë e tij”, shtoi ajo. “Si çdo person normal, jam e tmerruar nga krimet e tij. Është e pakonceptueshme që Epstein fillimisht gjeti përkrahje në vitin 2008, gjë që i lejoi të vazhdonte praktikat e tij grabitqare për një dekadë tjetër”, shtoi ish-sekretarja e Shtetit.
“Hetimi duhet të vlerësojë mënyrën se si qeveria federale i ka trajtuar hetimet dhe ndjekjet penale të Epstein dhe krimeve të tij. Ju keni thirrur në gjyq tetë zyrtarë të zbatimit të ligjit, të gjithë drejtues të Departamentit të Drejtësisë ose të FBI-së kur krimet e Epstein u hetuan dhe u ndoqën penalisht. Për më tepër, nga këta të tetë, vetëm njëri është paraqitur para Komisionit. Pesë nga gjashtë ish-prokurorët e përgjithshëm u lejuan të bënin deklarata të shkurtra, duke thënë se nuk kishin informacion për të dhënë. Ju nuk keni mbajtur seanca dëgjimore publike, duke refuzuar të lejoni median të marrë pjesë, edhe sot, pavarësisht se keni argumentuar për transparencë në dhjetëra raste. Ju keni bërë pak përpjekje për të thirrur njerëzit që shfaqen më dukshëm në dosjet e Epstein”, shtoi Hillary para Komitetit Mbikëqyrës.
”Jeffrey Epstein ishte një individ i urryer, por nuk është i vetëm. Ky nuk është një rast i izoluar, as një skandal politik. Është një plagë globale me një kosto të paimagjinueshme njerëzore”, deklaroi Hillary Clinton në dëshminë e saj. Clinton bëri thirrje që edhe presidenti republikan, Donald Trump të thirret për të dëshmuar nën betim rreth lidhjeve të tij të kaluara me shkelësin e dënuar seksual. “Nëse ky komision do të ishte serioz në lidhje me zbulimin e së vërtetës rreth krimeve të trafikimit seksual të Epstein, (…) do t’i kërkonte drejtpërdrejt presidentit tonë aktual të shpjegonte nën betim dhjetëra mijëra herë që ai shfaqet në çështjen Epstein”, tha gruaja e ish-presidentit demokrat, Bill Clinton në komisionin e dominuar nga republikanët.
KOHA JONË SONDAZH

