Historiani amerikan: Trump po militarizon SHBA-të, Europa është tashmë armiku kryesor
Politologu dhe historiani amerikan Robert Kagan, një nga intelektualët më të njohur në Shtetet e Bashkuara dhe anëtar i lartë i Brookings Institution, paralajmëron se administrata e Donald Trump po e shtyn SHBA-në drejt një rruge autoritare, duke militarizuar politikën e brendshme dhe duke e konsideruar Europën si kundërshtarin kryesor strategjik. Kagan i bën këto deklarata në një intervistë të gjatë për gazetën italiane La Stampa.
Sipas Kagan, politika e jashtme dhe e brendshme e Trump-it nuk mund të shihen të ndara, pasi ato janë pjesë e të njëjtit projekt pushteti, të ndikuar fort nga ideologët e rrymës së re trumpiste, veçanërisht Stephen Miller, zëvendëskryetar i stafit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet e brendshme.
Venezuela dhe justifikimi i “gjendjes së luftës”
Një nga pikat ku ndalet Kagan është përfshirja e Stephen Miller në çështjen e Venezuelës. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm me politikën e jashtme, por me krijimin e një narrative të brendshme emergjence.
“Mjafton të lexosh dokumentet më të fundit të Departamentit të Drejtësisë, ku çështja venezueliane përdoret si bazë ligjore për deportime”, shprehet Kagan. Sipas tij, administrata po kërkon të krijojë kushtet për të deklaruar de facto një gjendje lufte, edhe pa një shpallje zyrtare.
Minneapolis dhe militarizimi i brendshëm
Duke komentuar ngjarjet e fundit në Minneapolis, Kagan paralajmëron se ato janë një provë për ndërhyrje më të gjera federale.
“Ajo që ndodh aty është mesazhi që administrata dëshiron të përcjellë. Është një stërvitje për të krijuar skena të ngjashme kudo në SHBA. Administrata ka personelin dhe agjentët për të vepruar në një klimë emergjence, si në kohë lufte”, thotë ai.
Kagan shpreh bindjen se Trump, herët a vonë, do të përdorë Insurrection Act, ligji që i jep presidentit të drejtën të përdorë ushtrinë brenda territorit amerikan për të shtypur trazira ose kryengritje.
“Trump po militarizon politikën e brendshme. Ai ka glorifikuar forcat e armatosura dhe do t’i përdorte edhe brenda SHBA-ve”, shton historiani.
Fundi i rendit liberal dhe përplasja me Europën
Sipas Kagan, rendi botëror i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, i bazuar në demokracinë liberale dhe udhëheqjen amerikane, ka marrë fund. Ai paralajmëron aleatët europianë se nuk duhet të ushqejnë më iluzione për rikthimin e marrëdhënieve tradicionale transatlantike.
“Disa udhëheqës europianë e kuptojnë situatën, të tjerë mendojnë se bashkëpunimi mund të frenojë dëmet. Mesazhi im është i qartë: ka mbaruar. Kjo marrëdhënie nuk mund të riparohet”, thotë Kagan.
Sipas tij, ndarja mes SHBA-ve dhe Europës është e pakthyeshme, ndërsa Europa përfaqëson simbolikisht gjithçka që trumpizmi kundërshton: liberalizmin, të drejtat individuale dhe barazinë.
Dyshime mbi zgjedhjet dhe demokracinë
Kagan shpreh shqetësim serioz edhe për proceset zgjedhore në SHBA.
“Nuk jam i bindur se zgjedhjet e 2026-ës apo ato presidenciale të 2028-ës do të jenë të lira dhe transparente. Trump sapo ka filluar të mprehë thikën”, deklaron ai, duke shtuar se përplasja me Europën mund të shkojë deri në kufijtë e konfliktit.
“Edhe një demokrat nuk do ta ndryshonte thelbin”
Sipas Kagan, edhe një ndërrim pushteti nuk do ta ndryshonte rrënjësisht kursin amerikan.
“Idetë se Amerika nuk ka përfituar nga rendi botëror janë tashmë dypartiake. Edhe administrata Biden ka ndjekur një qasje që vë interesin amerikan mbi sistemin global. Diferenca është në stil, jo në thelb”, shpjegon ai.
Trump dhe mungesa e një doktrine të qartë
Në përfundim, Kagan thekson se Trump nuk ndjek një doktrinë klasike strategjike, por një ideologji të ndërtuar rreth ‘America First’, e udhëhequr nga figura si Stephen Miller.
“Ai dëshiron lavdi dhe pushtet. Ai dëshiron të jetë perandori i botës. Nuk ka një doktrinë të qartë, por ka një ideologji që kundërshton liberalizmin. Europa është armiku kryesor jashtë vendit, liberalët janë pengesa brenda”, përfundon Kagan.
KOHA JONË SONDAZH

