India në prag të konfliktit me Pakistanin
Një vendim i qeverisë të New Delhi mbi heqjen e autonomisë administrative të Kashmirit ka çuar në kulm tensionin midis Indisë dhe rivalëve rajonal të Pakistanit, që nga viti 1947 kanë pretendime mbi atë krahinë. Me një vendim të papritur por që ishte një nga premtimet e tij kryesorë në fushatën zgjedhore, kryeministri indian Narendra Modi dhe ekzekutivi i tij miratoi ligjin, të firmosur sot nga presidenti Ram Nath Kovind, që heq nga kushtetuta e vendit aziatik artikullin 370, ai që pikërisht i jepte pjesës indiane të Kashmirit, i quajtur Kashmir dhe Jammu, statusin e një shteti autonom brenda konfederatës indiane, me flamur dhe organizim pothuajse të pavarur.
Nga dita e djeshme mijëra trupa ushtarake kanë përforcuar kufirin me Pakistanin, rrjetet sociale janë të bllokuara, turistët janë ftuar të lejnë vendin dhe disa nga politikanët vendorë janë arrestuar. Sipas Indisë, vendimi u morr për të siguruar atij rajoni një zhvillim të barabartë ekonomik dhe social me pjesën tjetër të Indisë, si dhe për të kontrolluar më mirë kufijtë me Pakistanin.
Kritikët e vendimit, edhe brenda politikës indiane, thonë që objektivi i vërtetë i kryeministrit Modi dhe partisë BJP që përfaqëson, që shquhet për mbrojtjen e interesave nacionaliste dhe të traditës induiste, është ndarja e Kashmirit indian në dy zona në mënyrë që të ndryshojë edhe demografia e atij rajoni, që është historikisht me shumicë myslimane. Nuk ka munguar reagimi i Pakistanit. Ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mehmood Qureshi deklaroi se India po luan një lojë të rrezikshme që mund të ketë pasoja të rënda në gjithë rajonin”.
Historia e Kashmirit, që dikur ish presidenti amerikan Bill Clinton ka cilësuar si “zonën më të rrezikshme në botë”, është në llupën e marrëdhënieve gjeopolitike nga viti 1947. Në atë kohë, Kashmiri dhe Jammu ishte një principatë autonome që edhe pse myslimane, zgjodhi të rrinte me Indinë dhe jo me Pakistanin pas ndarjes të ish kolonisë britanike, por me kushtin e mbajtjes të autonomisë. Zona e Kashmirit, pranë Himalajës, prej 70 vitesh është e ndarë në territore të ndryshme, të administruara nga Pakistani, India por edhe nga Kina. Të panumërta kanë qenë konfliktet ushtarake kryesisht mes forcave indiane dhe pakistaneze, por edhe revoltat e popullsisë që kanë shkaktuar më shumë se 50 mijë të vdekur vetëm në periudhën 1989-2019. /A2 Cnn/