Iran/ Komuniteti Ndërkombëtar duhet ta shtojë presionin pas marrjes së Presidencës nga Raisi

Ka kaluar gati një muaj që kur Ebrahim Raisi u caktua si presidenti i ri i regjimit iranian. Fjala “u caktua” e përshkruan shumë më mirë situatën sesa fjala “u zgjodh” duke patur parasysh faktin që shumica dërrmuese e popullit iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve të 18 qershorit për të treguar dëshirën e tij për ndryshim regjimi dhe për të nënvizuar mungesën e legjitimitetit të regjimit.

Igjithë procesi i përzgjedhjes në Iran nën regjimin e mullahëve është jodemokratik, Raisi zhvilloi një fushatë të cilës nuk iu kundërvu askush për shkak se kishte mbështetjen entuziaste dhe personale të Liderit Suprem Ali Khamenei. Kush është Ebrahim Raisi, kandidat në zgjedhjet presidenciale të Iranit dhe ekzekutues në masakrën e 1988-ës?

Këshilli i Gardianëve, një organ 12-anëtarësh të emëruar në mënyrë direkte dhe indirekte nga lideri suprem, e kanë shpërblyer këtë mbështetje duke përjashtuar të gjithë kandidatët e tjerë nga votimet, e duke lënë një zyrtar nga administrata në ikje që të shërbente si kokë turku në debatet me Raisi-n, si dhe katër të ashtu-quajtur “konservatorë” të tjerë, gjysma e të cilëve e lanë garën në çastin e fundit për t’ia shtuar edhe më shumë shanset Raisi-t për fitore.

Kësaj mbështetjeje iu kundërvunë protestat publike të organizuara nga opozita iraniane, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e cila e ka përshkruar me kohë Raisi-n si “laro i 1988-ës” për shkak të rolit të tij kyç në masakrën e atij viti ndaj të burgosurve politikë, masakër e cila kishte në shënjestër kryesisht MEK-ët mbi bazën e një fatwa nga Ruhollah Khomeini ku ata deklaroheshin armiq të Zotit. Kjo masakër ua mori jetën mbi 30,000 njerëzve në mbarë vendin, dhe si një nga anëtarët e “komisionit të vdekjes” të Teheranit në atë kohë, mund të argumentohet se Raisi mban përgjegjësi për shumicën e tyre.

Në periudhën përpara emërimit më të fundit të Raisi-t, ai ka qenë gjithashtu në shënjestër të protestave nga ata qytetarë iranianë që kanë humbur familjarët e tyre në një masakër të kohëve të fundit. Në nëntor 2019, Irani u trondit nga një kryengritje mbarëkombëtare që përfshiu gati 200 qytete të mëdha e të vogla dhe ku njerëzit thërrisnin me sllogane si “vdekje diktatorit.” Ngaqë ishte përballur edhe më përpara me këto sllogane në një kryengritje të ngjashme më pak se dy vite më parë, regjimi ishte i dëshpëruar për t’i shtypur veprimtaritë disidente me shumë më tepër forcë. Khamenei dha urdhër për raprezalie të menjëhershme dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike u përgjigj menjëherë duke hapur zjarr mbi turmat e protestuesve, duke vrarë 1,500 njerëz brenda pak ditësh.

Rrjedhojat e këtyre gjuajtjeve ishin të tmerrshme, dhe ndonëse nuk është bërë e qartë asnjëherë se sa shumë është rritur bilanci i vdekjeve në muajt e mëpasshëm, nuk ka dyshim që pushteti gjyqësor i regjimit ka torturuar qindra, në mos mijëra, të arrestuar gjatë kësaj periudhe. Kjo është konfirmuar në një raport të detajuar nga Amnesty International, dhe rrjetet e inteligjencës të lidhura me MEK kanë llogaritur se mbi 12,000 njerëz janë ndikuar në mënyrë direkte nga fushata e terrorit pas arrestimit për pjesëmarrje në kryengritje.

Të gjitha këto reflektojnë mbi historikun e brutalitetit të Raisi-t sepse ai ishte kryegjyqtar në kohën e shtypjes të protestave të 2019-ës, pasi ishte emëruar në këtë post në fillim të atij viti nga Khamenei. Në 2020 dhe 2021, “Njësitë e Rezistencës” të lidhura me MEK kanë ngjitur mesazhe në hapësira publike dhe kanë zhvilluar demonstrata të paligjshme për t’u thënë të gjithë iranianëve që të “votojnë për ndryshim regjimi.”

Nisur nga përhapja e këtyre mesazheve dhe nga lidhjet që njihen midis MEK dhe kryengritjeve të mëparshme, arrihet në konkluzionin se pjesëmarrja historikisht e ulët në zgjedhjet e muajit të shkuar ka qenë një pohim i jashtëzakonshëm i dëshirës për ndryshim regjimi nga i gjithë populli iranian. Është jetike që i gjithë komuniteti ndërkombëtar t’i kushtojë vëmendje këtij mesazhi ndërkohë që Teherani bëhet gati për tranzicionin e tij presidencial dhe bota përpiqet të kuptojë se si mund të ndryshojë çështja iraniane në këtë epokë të re.

Siç ka nënvizuar Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI, gjatë Samitit Botëror për Iranin e Lirë më 10-12 korrik, “Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, i kërkojmë që ta njohë përpjekjen e popullit iranian për ta përmbysur këtë regjim dhe t’i njohë këto tre koncepte.

Duam t’i sjellim para drejtësisë liderin suprem të regjimit, Ali Khamenei, presidentin Ebrahim Raisi, kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Ejeii, dhe zyrtarët e tjerë përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. E nxisim Këshillin e Sigurimit të OKB që të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Mullahut Raisi dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe ta refuzojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asemblesë së Përgjithshme të OKB.”

SHKARKO APP