Irani hodhi sot poshtë sanksionet e OKB-së ndaj programit të tij bërthamor
Irani hodhi sot poshtë sanksionet e OKB-së ndaj programit të tij bërthamor, pasi ato u rivendosën nga Gjermania, Franca dhe Britania, duke i cilësuar si të paligjshme dhe “të pavlefshme”.
“Masat e marra nga tre vendet evropiane janë të gabuara nga pikëpamja ligjore dhe procedurale, prandaj janë të pavlefshme”, shkroi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi në një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të publikuar në platformën X.
Ai theksoi se hyrja në fuqi e sanksioneve përbën “një abuzim të qartë” të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e quajtur atë moralisht dhe politikisht të pajustifikueshme.
Araghchi kërkoi nga Guterres që të mos lejojë tre vendet evropiane dhe SHBA-në të “shfrytëzojnë OKB-në për qëllime politike”.
Sanksionet u rikthyen në fuqi gjatë natës, pasi Gjermania, Franca dhe Britania – bashkënënshkruese të marrëveshjes historike për parandalimin e prodhimit të armëve bërthamore nga Irani, aktivizuan mekanizmin e njohur si “snapback”.
Perëndimi druhet se Irani po përpiqet të zhvillojë një bombë bërthamore, megjithëse Teherani këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime civile. Megjithatë, tre fuqitë evropiane e akuzojnë vendin për pasurim uraniumi shumë përtej niveleve të nevojshme për përdorim civil.
Rivendosja e inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ishte gjithashtu një kërkesë kyçe. Por, pavarësisht përpjekjeve të fundit diplomatike, nuk u arrit asnjë marrëveshje me udhëheqësit iranianë, gjë që çoi në rikthimin e regjimit të sanksioneve që ishte në fuqi midis viteve 2006–2010.
Masat përfshijnë një embargo të plotë armësh, ndalim të pasurimit të uraniumit dhe ngrirje globale të pasurive të individëve dhe institucioneve iraniane të lidhura me programet bërthamore apo raketore.
Ndërsa sanksionet pritet të godasin më tej ekonominë tashmë të dobësuar të Iranit, e cila po përballet edhe me masa të njëanshme nga SHBA-ja, ndikimi i plotë i “snapback”-ut të OKB-së mbetet ende i paqartë.
KOHA JONË SONDAZH

