Irani kërcënon luftanijen amerikane në Hormuz, ndërsa vijojnë bisedimet për paqe në Pakistan
Marina iraniane ka paralajmëruar një anije luftarake amerikane që të mos kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar me sulm nëse ajo vazhdon rrugën, ndërsa Irani dhe SHBA-ja kanë nisur bisedime për paqe në Pakistan, raportuan mediet shtetërore iraniane.
Sipas agjencisë Tasnim, forcat e Republikës Islamike po monitorojnë nga afër një destrojer amerikan.
Nëse anija vazhdon lëvizjen e saj, ajo mund të përballet me një sulm.
Delegacioni iranian, që nisi sot pasdite negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Islamabad, paraqiti një ankesë pranë Pakistanit si ndërmjetës dhe kërkoi largimin e anijes amerikane nga ngushtica.
Më herët, gazetari i Axios, Barak Ravid, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se disa anije ushtarake amerikane kishin kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit pa koordinim me Iranin.
Të dhënat nga shërbimi i gjurmimit të anijeve “VesselFinder” tregojnë praninë e një anijeje qeveritare amerikane në Gjirin Persik, pa specifikuar llojin e saj, siç ndodh zakonisht me mjetet ushtarake.
Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi strategjike pasi lidh Gjirin me Oqeanin Indian dhe është një rrugë jetike për transportin e naftës nga vendet prodhuese drejt tregjeve globale.
Sipas International Energy Agency, rreth 30% e naftës që transportohet me rrugë detare në botë ka kaluar përmes kësaj ngushtice në vitin 2023.
Irani ka marrë kontrollin e kësaj rruge detare që nga fillimi i luftës me SHBA-në dhe Izraelin, ndërsa rihapja e saj është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në bisedimet që po zhvillohen në Pakistan.
KOHA JONË SONDAZH

