”Irani nuk do ta tolerojë agresionin”, Pezeshkian mesazh presidentit të Francës: S’do të heshtim kurrë

”Irani nuk do ta tolerojë kurrë agresionin”, është paralajmërimi që ka bërë Presidenti i Iranit gjatë një bisede telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron. Lideri i Iranit, Masoud Pezeshkian mori shkas nga situata e ndezur në rajon si pasojë e vrasjes në Teheran të liderit të Hamasit.

“Irani nuk do të heshtë kurrë përballë agresionit kundër interesave dhe sigurisë së tij. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore me të vërtetë po kërkojnë të parandalojnë luftën në rajon, ata duhet ta detyrojnë regjimoin e Izraelit të ndalojë gjenocidin dhe sulmet në Gaza dhe të pranojë një armëpushim”, tha Masoud Pezeshkian, president i Iranit.

Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin si Hamasi dhe Hezbollahu kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyeh më 31 korrik. Vdekja e tij ishte një nga një seri vrasjesh të figurave të larta të Hamasit gjatë luftës.

Zyrtarët izraelitë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vdekjen e Haniyeh. Mediat ndërkombëtare raportojnë se ushtria e Izraelit ka eliminuar një komandant të lartë të Hezbollahut pas një sulmi me dron. Ushtria izraelite e bëri të ditur këtë fakt duke shtuar se Hassan Fares Jeshi ishte përgjegjës për lëshimin e raketave antitank në veri të Izraelit.

SHKARKO APP