Ish-ambasadori Çeku: BDI po bëhet bashkëfajtore me VMRO-DPMNE

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arbën Çejku në një intervistë për mediat shqiptare ka theksuar se priste që BDI pas Kumanovës të braktiste Qeverinë.

“Si ka mundësi që BDI vazhdon ta mbështesë akoma me vota një qeveri, e cila ka rënë? Unë kam pritur dje dhe sot, që BDI të largohet nga koalicioni me VMRO-DPMNE dhe t’i kthehet koalicionit me popullin e vet. Çdo qëndrim i mëtejshëm i BDI-së në qeverisje me Gruevskin, dëshmon jo vetëm papjekuri politike, por bashkëfajësi! Një largim i vonuar i BDI-së nga koalicioni aktual, do të jetë një largim me turp”, deklaroi diplomati Çejku.

Sipas tij, BDI ndoshta do të arrijë ta lexojë realitetin që e rrethon dhe do të dijë ta bëjë dallimin midis parimeve dhe interesit publik në njërën anë dhe raportit me egocentrizmin dhe interesit personal në anën tjetër.

Ai theksoi se nuk ka arritur të kuptojë mospraninë e BDI-së në ngjarjet e Kumanovës, ku përfaqësuesit e saj duhet të ishin pranë popullatës, së paku menjëherë sapo ka përfunduar përplasja me armë dhe se nuk është arsyeja heshtja e saj treditore.)

Intervistë me z. Arben Çejku, ish-Ambasador i Shqipërisë në Maqedoni (2009-2013), Drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë (Albanian Center for Good Governance) Illyriapress

Pas ngjarjeve tragjike në Kumanove, politika në Shkup ka nisur të lëvizë dhe si pasojë e saj kemi dorëheqjet e krerëve të institucioneve të sigurisë, të cilët prej kohësh ishin target i sulmeve të opozitës maqedone, sic janë ish-ministrja e brendshme Jankullovska, ish-shefi sigurimit Mijallkov, ish-zv-Kryeministri dhe ministry financave Stavrevski. Si e komentoni largimin e tyre dhe vendosmërinë e partnerit shqiptar, BDI në koalicion me Gruevskin?

Politika në Shkup filloi të lëvizë vetëm pasi tragjedia e Kumanovës u pa nga e gjithë bota dhe vetëm pasi presioni ndërkombëtar u shtua mbi qeverine e Gruevskit. E them këtë, sepse në takimet “urgjente” që Presidenti Ivanov zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike dhe me ambasadorët e BE, SHBA, OSBE etj, nuk adresoi asnjë kërkesë konkrete ndaj përgjegjësive që ka ekzekutivi maqedonas. Përkundrazi, në rolin e zëdhënësit të qeverisë, ai u kërkoi partive “unitet” për vazhdimësi, kurse faktorin ndërkombëtar e kërcënoi hapur duke i kërkuar pranim pa kushte të Maqedonisë në NATO dhe BE, ose “përndryshe vendi do destabilizohet”.

Nëse nuk do të ishte deklarata e përbashkët e quint-it, me në krye Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, struktura qeveritare do të mbetej e njëjta sic ishte. Madje personat përgjegjës, sidomos Jankullovska e Mijallkov, do të përforconin pozitat e tyre. Këtë e tregoi edhe sot (e merkurë) qëndrimi i Kryeministrit Gruevski, i cili u atribuoji atyre vlera të jashtëzakonshme duke e cilësuar pa pikë turpi “një sukses”, aksionin e përgjakshëm të policisë në Kumanovë. Gjithashtu, media proqeveritare sapo ka nisur një valë sulmesh verbale kundër Ambasadorit të ri amerikan në Shkup, duke aluduar se ai po shkel normat diplomatike me ndërhyrjet në cështjet e politikës dhe drejtësisë! Pra, dorëheqjet e tyre nuk ishin një akt moral apo një kërkesë e Gruevskit, por thjeshtë një nënshtrim para presionit ndërkombëtar dhe një përpjekje për të shfryrë sadopak zemërimin popullor dhe protestat e opozitës. Theksoj se këto dorëheqje janë të pamjaftueshme dhe, për më tepër, emrat e rinj që i kanë pasuar, kanë qenë dhe do të mbeten deri në fund vartës të bindur të Jankullovkës dhe Mijallkovit, të cilët tani duket se do t’i kenë duart edhe më të lira.

Lidhur me ngjarjet në Kumanovë dhë atë që e pasoi këto ditë, tri gjëra nuk po arrij t’i kuptoj; mosprezencën e BDI-së në ngjarjet e Kumanovës, ku përfaqësues të saj duhej të ishin pranë popullatës, së paku menjëherë kur përfundoi përplasja me armë; së dyti heshtja treditore e saj dhe e PDSH-se, pa një qëndrim të qartë mbi atë që ndodhi dhe përgjegjësit dhe e treta, si ka mundësi që BDI vazhdon ta mbështesë akoma me vota një qeveri, e cila ka rënë? Unë kam pritur dje dhe sot, që BDI të largohet nga koalicioni me VMRO-DPMNE dhe t’i kthehet koalicionit me popullin e vet. Çdo qëndrim i mëtejshëm i BDI-së në qeverisje me Gruevskin, dëshmon jo vetëm papjekuri politike, por bashkëfajësi! Një largim i vonuar i BDI-së nga koalicioni aktual, do të jetë një largim me turp. Por unë kam besim se BDI do të arrijë ta lexojë realitetin që e rrethon dhe do të dijë ta bëjë dallimin midis parimeve dhe interesit publik në njërën anë dhe raportit me egocentrizmin dhe interesit personal në anën tjetër.

Pavarësisht se ngjarja në Kumanove mbetet ende e paqartë për shkak të mungesës së transparencës për çfarë ka ndodhur atje, a keni ju një vlerësim për situatën në Kumanovë nisur nga përvoja juaj si ish-ambasador në Maqedoni?

-Ngjarja e Kumanovës ishte një tragjedi, e cila mund të shmangej, nëse ajo do të menaxhohej me dashamirësi dhe profesionalizëm nga autoritetet e sigurisë. Unë nuk dua të eksploroj në labirinthe të konspiracionit, që ka nisur të shpaloset nëpër media këto ditë, por duke u besuar institucioneve maqedone dhe deklaratave të tyre, gjykoj që më së paku, përmasat e atij skandali do të ishin më të vogla. Përderisa gjitha autoritetet pranojnë se kishin dijeni për grupin e armatosur (ndërkohë që edhe Beogradi pohon nga ana e tij se kishte njoftuar Shkupin që në prill!), si ka mundësi që nuk u morën masa për izolimin e tij, por duhej që terrorin ta përjetonin civilët e pafajshëm? Aksioni i policisë dhe forcave të tjera të sigurisë i kishte shumicën e elementëve të një operacioni ndëshkimor. Kjo ngjarje duhet hetuar nga një qeveri, e cila nuk ka konflikt interesi me cfarë ndodhi më 9 e 10 maj në Kumanovë.

Nisur nga përvoja e qëndrimit tim në Maqedoni, ajo cfarë ndodhi në Kumanovë është një fotokopje e shëmtuar e asaj cfarë ndodhi në Smilkovc në Prill 2012, ku pesë shtetas maqedonas u vranënë rrethana misterioze, ndërkohë që fajtor u bënë shqiptarët. Pikërisht prapavija e këtij skandali që lidhet me institucionet e sigurisë maqedone, shtoi frikën dhe tensionin në qevernë Gruevski, për të cilën shpesh thonë se nxitoi të prodhonte një Smilkovc të ri me pasoja më të rënda. Uroj të mos jetë e vërtetë as e para as e dyta, por nëse vërtetohet cilado prej tyre, kjo do jetë një njollë e zezë për këtë qeveri dhe mbështetësit e saj dhe duhet trajtuar si krim kundër njerëzimit!

Faktori shqiptarë në Maqedoni, ka munguar të shfaqet në këtë situatë të trazuar në Kumanovë, që do të thotë kanë munguar në rolin e tyre për të mbrojtur qytetarët shqiptarë të Kumanovës. Cilat mendoni ju se janë arsyet?

Mungesa e komunikimit të sinqertë të të dy partive më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni, BDI e PDSH me popullin e Kumanovës për tre ditë me radhë, nuk është një neglizhencë por një faj i madh, i cili do të ketë pasoja për liderët e këtyre dy partive. Në rrethanat kur në Kumanovë kishte krisma, liderët shqiptarë mund të shfrytëzonin mjetet e komunikimit për t’iu drejtuar popullit të tyre, më së paku. Vërej me keqardhje se nuk është hera e parë, që liderët shqiptarë vonojnë në reagimet e tyre publike për ngjarje që kanë prekur të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.

Që pas zgjedhjeve të vitit 2014, BDI, nuk u ofroi ndyrshimet e premtuara mbështetësve të saj. Ajo zhvilloi një fushatë bazuar mbi kërkesat e shqiptarëve për më shumë liri ekonomike, sociale dhe barazi institucionale. Por koalicioni me VMRO-DPMNE dëshmoi një vazhdimësi të sforcuar, e cila zhgënjeu masivisht shqiptarët. Pakënaqësitë u shtuan kur filluan të dalin në dritë përgjimet implikuese të zyrtarëve të BDI-së në afera korruptive dhe pazare të ulta politike me regjimin.

Mendoj se ky kompleks inferioriteti ndaj zgjedhësve dhe fijet që i lidhin me pushtetin kanë qenë më të forta, ndaj ata nuk kanë mundur të jenë vetvetja, nuk kanë mundur të jenë pranë popullit të tyre. Korrupsioni kudo ka një cmim, që bie në kurriz të taksapaguesve, porn ë Maqedoni korrupsioni i politikanëve shqiptarë ka një kosto të dyfishtë ndaj shqiptarëve, edhe si taksapagues, edhe në atë të garantimit të të drejtave të barabarta dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Zyrtarët e korruptuar shqiptar, në cdo qeveri maqedone, kanë shërbyer si vaj lubrifikant për ecjen e qeverive përpara pa hasur në pengesa!

Kumanova, nuk do të mbetet vetëm një ngjarje tragjike për popullin atje, por për gjithë shqiptarët do të përdoret si mekanizëm vlerësimi për klasën politike shqiptare. Ndaj e theksoj edhe një herë që, së paku BDI, të dilte nga kjo qeveri, për të rindërtuar një urë të re besimi me popullin shqiptar.

Diplomacia shqiptare është shfaqur e tërhequr në këtë situatë. Qëndrimet e qeverisë shqiptare janë të lehta të ngjashme me vende të tjera, që nuk kanë aq lidhje me Maqedoninë, pra është fjalë për përqindjen e madhe të popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe konkretisht në Kumanovë, ku ka ndodhur konflikti. A keni ju një vlerësim për këtë?

Kam vënë re se shumica, ndoshta me të drejtë, e kanë vlerësuar qëndrimin e qeverisë së Tiranës nga forma dhe përmbajtja e deklaratave të bëra publike. Shumica thonë “duhej të ishte deklaratë më e fortë”. Por deklaratat mbeten deklarata! Në fakt, Tirana zyrtare nuk mund të tejkalonte në qëndrimet e saj faktorin shqiptar në Maqedoni, i cili heshti për tre ditë me rradhë. Tirana bëri disa deklarata, përfshi edhe atë të Partisë Demokratike, ndërsa në Maqedoni asnjë politikan nuk reagoi. Natyrisht, qëndrimet zyrtare mund të komentohen.

Mua më shqetëson herë pas here qasja joserioze ndaj rajonit në tërësi dhe Maqedonisë në vecanti. Përtej cdo klientelizmi apo afrimi vëllazëror mes liderëve tanë këtej e andej kufirit, interesi kombëtar mbetet i shenjtë dhe askush, nuk ka të drejtë të sillet me të si mbi një monopol të rastit. Neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë nuk është një dekor moral, por një obligim ligjor, i cili kërkon që Tirana zyrtare të mos mjaftohet me deklarata, por të 0ndërmarrë hapa konkret në drejtim të përmirësimit të gjendjes në Maqedoni. Ne vërtetë kemi hequr dorë nga paternalizmi, sepse kemi respektuar përfaqësimin institucional të shqiptarëve atje, por të gjithë e dimë se sa nevojë ka për prezencën tonë, për ndihmën konkrete që duhet të japim në vazhdimësi.

Qeveria shqiptare duhet të pranojë realisht këshillat dhe sugjerimet e partnerëve tanë, sidomos ato të SHBA, dhe mbi bazën e tyre të implementohet një qëndrim constant, të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Jo një herë të hidhet poshtë Marrëveshja e Ohrit, duke thënë se ajo “nuk është zbatuar fare dhe ka vdekur”, dhe pak javë më vonë të thuash në korridoret e Brukselit se “kush sulmon Gruevskin na ka sulmuar neve” dhe më tej akoma, të kalohet në artikulim tezash kontraverse si ajo mbi “bashkimin kombëtar” dhe pastaj e gjitha të përmbyllet me mungesë ambasadori në Maqedoni! Ne si Shqipëri, vend anëtar në NATO dhe mik me SHBA duhet të reflektojmë në rajon jo vetëm pjekuri diplomatike, por edhe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit shumëplanësh.

Referuar qëndrimit të diplomacisë shqiptare, ish-ministri i jashtëm shqiptar, Paskal Milo e jusifikon mesazhin e “qetë” të diplomacisë shqiptare për Kumanovën me mungesën e transparencës rreth asaj çfarë po ndodh atje. A është e mjaftueshme?

E thashë edhe më lart se, qëndrimet apo deklaratat zyrtare mund të komentohen lirisht nga secili. Në rrethanat e një terri informative e, për më tepër të një dezinformimi, qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar, përfshi presidentin, ministrinë e jashtme, opozitën etj, shprehën qëndrime të pranueshme. I takon qeverisë sfida e vijimit të raporteve me përfaqësuesit shqiptar, të cilët aktualisht kanë probleme me kredibilitetin e përfaqësimit, sidomos me popullatën shqiptare në Kumanovë. Uroj që e tërë kjo krizë politike dhe institucionale në Maqedoni të përmbyllet sa më shpejt përmes metodave demokratike.

SHKARKO APP