Ishte vatra ‘e nxehtë’ e koronavirusit në SHBA, Nju Jorku po bëhet gati për të hapur shkollat publike
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut parashtroi planin e administratës së tij të premten për të rihapur sistemin më të madh të shkollave publike në Shtetet e Bashkuara në shtator, pasi ish-vatra e nxehtë e koronavirusit e ka vendosur tashmë nën kontroll nivelin e infeksionit. “Çdo gjë që bëjmë do të përqendrohet në shëndetin dhe sigurinë – shëndetin dhe sigurinë për fëmijët tanë, familjet tona, arsimtarët tanë, stafin e shkollave tona”, u tha gazetarëve kryebashkiaku Bill de Blasio.
1.1 milion studentë të shkollave publike të Nju Jorkut u dërguan në shtëpi në mes të marsit kur koronavirusi mbërtheu qytetin. Zyrtarët dhe arsimtarët vepruan shpejt për të zhvendosur mësimin në internet, duke marrë qindra mijëra kompjutera dhe tableta për studentët me të ardhura të ulëta dhe duke i pajisur ata me internet. Për shumë fëmijë, shkolla është gjithashtu vendi ku ata marrin ushqimin e tyre kryesor të ditës, kështu që qyteti shpërndau ushqime për të shkuar në më shumë se 400 objekte shkollore.
Përpjekja ishte e përmasave herkuliane, u përball me sfida të shumta dhe u prit me vlerësime të përziera. Por zyrtarët dhe prindërit pajtohen se mësimi në distancë nuk mund të zëvendësojë përvojën e klasës. Qyteti mori 400’000 përgjigje për një anketim dhe zoti de Blasio tha se 75% e prindërve dëshirojnë që fëmijët e tyre të kthehen fizikisht në klasa.
“Në përgjithësi, modeli këtu është përqasja e ndërthurur me dy ose tre ditë në shkollë çdo javë, nga e cila me të vërtetë do të përfitojnë fëmijët”, tha ai për mënyrën se si do të duken gjërat në shtator. Gjatë ditëve të tjera, mësimi në distancë do të vazhdonte në mënyrë që të kufizonte numrin e nxënësve në secilën shkollë. Ai tha se mësimi në distancë me kohë të plotë do të jetë në dispozicion për çdo familje që e preferon si opsion. Për më tepër, udhëzimet për distancimin shoqëror do të jenë të vendosura në çdo pjesë të ndërtesave të shkollës, dhe mbulesat falas për fytyrën, pajisjet mbrojtëse personale dhe testimi prioritar do të jenë të disponueshme për të gjithë në komunitetin e shkollës. Studentët do të qëndrojnë në një klasë të vetme sa më shumë që të jetë e mundur, me shumë pak të rritur në kontakt me ta. “E gjithë ideja e këtij plani është të kufizojë sasinë e lëvizjes në shkollë, të kufizojë sasinë e njerëzve që vijnë në kontakt me njëri-tjetrin, t’i mbajnë fëmijët sa më shumë që të jetë e mundur në të njëjtin grup gjatë gjithë ditës për mbrojtjen e të gjithëve”, tha kryetari i bashkisë.
Plani i kryebashkiakut nuk është pritur mirë nga sindikatat e mësuesve të qytetit, të cilët thonë se marrëveshjet e sigurisë dhe logjistikës janë të papërshtatshme. Përveç masave paraprake, rihapja do të kushtëzohet me shkallën e infeksionit në të gjithë vendin, i cili duhet të jetë nën 3%. De Blasio tha se niveli ishte nën atë prag për gjashtë javët e fundit.
“Është e jashtëzakonshme”, tha ai. Nëse niveli i infeksionit rritet mbi 3%, studentët do të zhvendoseshin plotësisht tek mësimi në distancë derisa të stabilizohet situata.
Shumë shtete të tjera po përdorin një prag prej 5%, por kryetari i bashkisë tha se për shkak të dendësisë së popullsisë së Nju Jorkut dhe përvojës së tij me virusin, zyrtarët duan të jenë më vigjilentë në parandalimin e një rritjeje të infeksioneve, pra duke mbajtur pragun më të ulët.
Në mars dhe në prill, qyteti i Nju Jorkut ishte epiqendra amerikane e COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi. Në fund të muajit prill, qyteti regjistroi më shumë se 160’000 raste dhe më shumë se 12’000 vdekje. Të premten, kryetari i bashkisë tha se në 24 orët e kaluara kishte 312 raste të reja të konfirmuara dhe vetëm 1% e banorëve të testuar për koronavirusin kishin rezultuar pozitivë.
Qyteti gjithashtu ka plane emergjence rezervë që përfshijnë mundësinë kur një student ose mësues rezulton pozitiv, kur do të hynte në fuqi edhe një karantinë 14-ditore.
“Nëse ndodh një rast sëmundjeje, ne do të përgjigjemi shpejt, do të komunikojmë qartë gjatë hetimeve dhe menjëherë do të informojmë për vendimet për të futur klasat në karantinë, ose nëse është e nevojshme, për t’i mbyllur shkollat”, tha Kancelari i Shkollave Richard Carranza. /VOA