ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Vjenë
Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Vjenë, në të cilin janë vrarë katër persona.
Në deklaratën e këtij grupi, të publikuar nga agjencia e tij e lajmeve Amaq, nuk janë ofruar të dhëna për marrjen e përgjegjësisë, transmeton Reuters.
Deklarata është shoqëruar me një fotografi të një burri me emër “Abu Dagnah Al-Albany”, duke thënë se ai ka sulmuar turmat e njerëzve në qendër të Vjenës të hënën, para se të vritej nga policia austriake.
Autoritetet austriake e kanë cilësuar ngjarjen e së hënës si sulm “terrorist”.
Policia austriake vrau sulmuesin e dyshuar, duke e identifikuar si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Zvicër, policia ka njoftuar se ka ndaluar dy burra zviceranë të moshave 18 dhe 24-vjeçare, duke thënë:
“Shkalla e lidhjes mes këtyre dy personave të arrestuar dhe sulmuesit të dyshuar është aktualisht subjekt i hetimit”.