Itali: 5 personat e parë do marrin vaksinën anticovid më 27 dhjetor
Pas vendimit pozitiv të Agjensisë Europiane të Barnave për vaksinën Pfizer Biotech, Italia ka gati planin për nisjen e vaksinimit kundër virusit Covid 19.
9750 dozat e para të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në Itali në datën 26 dhjetor e një ditë më pas, më 27 dhjetor do të nis vaksinimi.
Personat e parë që do të vaksinohen kundër Covid në Itali do të jenë një infermiere, dy mjekë, e një kërkuese shkencore e një operator shëndetësor.
Vaksinimi do të kryhet në selinë e Institutit Kombëtar italian të Sëmundjeve Infektive Spallanzani e pesë personat e parë që do të vaksinohen janë të gjithë punonjësit e këtij instituti.
Dozat e para të vaksinës anti covid në Itali do të jenë në dispozicion të punonjësve të sistemit shëndetësor. Sipas Franco Locatellit, Kryetarit të Këshillit Suprem të Shëndetësisë “objektivi është që brenda verës 2021 e në fillim të stinës së vjeshtës në Itali të jenë vaksinuar rreth 42 milionë persona e baraz me 70% të popullsisë së përgjithshme.”
Ndër 9750 dozat e para të vaksinës, 1620 , pra numri më i lartë do të shpërndahet në rajonin e Lombardisë, më i godituri nga pandemia, 975 doza do të shkojnë në rajonin e Emilia Romagna, 955 në Lazio, 910 në Piemonte, 875 në Veneto.
Rajonet Umbria, Molise e Valle D’Aosta do marrin 50 doza vakisnë dhe kanë numrin më të ulët të dozave të shpërndara ndër rajonet.