Itali/Gjendet ”pacienti 1”, i prekur në nëntor të 2019
Autoritetet shëndetësore italiane bëjnë të ditur se të infektuarit e rinj nga pandemia kanë qenë 12532, në ulje të dukshme nga dje, kur ishin 18627, por me shumë më pak testime të kryera.
Sinjalet madje janë shqetësuese, duke marrë parasysh se raporti testime/pozitivitete është rritur sërish (13.6%), dhe se në rritje të dukshme janë edhe viktimat, 448. Rajoni më i goditur është kësaj radhe Emilja Romanja, me 1942 raste, e ndjekur nga Veneto me 1715 dhe Sicilia me 1587.
Nga ana tjetër, autoritetet mendojnë se kanë gjetur “pacientin 1”, ose më mirë pacienten. Bëhet fjalë për një vajzë 25-vjeçare të cilës i ishte bërë një biopsi të lëkurës në 10 nëntorin e vitit 2019.
Pacientja në atë kohë kishte vetëm një skuqje të krahëve, patologji e lëkurës që tani e dimë që paraqitet si simptomë në rreth 5-10% të pacientëve me COVID-19, por që në momentin e analizës së vajzës ende nuk imagjinohej.