Itali, nisin konsultimet për formimin e qeverisë së re
Partitë politike në Itali nisën të mërkurën konsultimet me presidentin e vendit për të përcaktuar qeverinë e re pas dorëheqjes së kryeministrit, Xhuzepe Konte.
Për tri ditë, grupimet më të mëdha, “Lëvizja 5 Yjet” e Vito Krimit, “Lidhja” e Mateo Salvinit, Partia Demokratike e Nikola Xingaretit dhe Forca Italia e ish-kryeqeveritarit, Silvio Berluskoni, do të thirren bashkë me partitë e tjera të vogla për gjetjen e mazhorancës së re.
Kriza në qeverisje detyroi Konten të martën t’i ofrojë dorëheqjen kreut të shtetit, Serxho Matarela.
10 senatorë reaguan duke formuar një grup parlamentar me objektivin për të konfirmuar Konten edhe një herë në udhëheqjen e qeverisë.
Opozita, ndërkohë, i ka sytë nga skenari tjetër, te zgjedhjet e reja, që sipas sondazheve e nxjerrin atë fituese.
“Kryeministri Konte është duke kërkuar senatorë natën për mbijetesë, dhe deri të premten ne do flasim vetëm për këtë. Matarelës do i themi se nuk e pranojmë këtë trafikim të turpshëm votash dhe gjërat e tjerat mund t’i diskutojmë pasi ky njeri të mos jetë më në kryeministri.”- thotë Matteo Salvini
“Lëvizja 5 Yjet” dhe demokratët kanë shpresë se mund ta mbajnë pushtetin, por kjo do kërkonte sërish ndihmën e ish-aleatit, Mateo Renxi, që doli nga koalicioni pak javë më parë.
Renxi e provokoi krizën politike me arsyen e administrimit të pandemisë, teksa vendi pret të miratojë një plan financiar mbi 200 miliardë euro për t’u rimëkëmbur nga pasojat e kovidit-19.