Italia e gjunjëzuar nga virusi por kjo komunë s’ka të prekur. Studiohet gjaku i banorëve
Italia është në pikun e pandemisë së Covid-19, ku deri më tani janë mbi 9 mijë të vdekur dhe mbi 86 mijë të prekur. Një nga rajonet më të goditura nga virusi vdekjeprurës është Lombardia por nga ana tjetër, në komunën Ferrera Erbognone, me më shumë se 1 mijë banorë, në provincën e Pavias, nuk ka asnjë person të infektuar.
Media italiane “Tgcom24” shkruan ndër të tjera se ky është një rast i jashtëzakonshëm, i cili ka detyruar ekspertët ta bëjnë atë edhe objekt studimi. Instituti Neurologjik Mondino i Pavias vendosi të ekzaminojë gjakun e banorëve për të identifikuar praninë e antitrupave.
“Ne kemi zgjedhur të ekzaminojmë gjakun e banorëve në Ferrera Erbognone, sepse është një komunitet në të cilin ende nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus. Studimi i popullatës mund të na sigurojë rezultate mjaft të rëndësishme, të cilat do të ndahen me pas me virologët”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Institutit Neurologjik.