Italia luftë burokracisë: Qeveria thjeshton procedurat e miratimit të projekteve
Qeveria italiane miratoi të hënën vonë një dekret që synon të thjeshtojë procedurat administrative të prokurimeve publike. Zyrtarët italianë shpesh druhen të miratojnë projekte investimesh nga frika se mund të hetohen për korrupsion, kjo ka bërë që shumë qeveri më parë të dështojnë në një reformë të tillë. Kryeministri Conte e quajti dekretin e thjeshtimit si “nënën e të gjitha reformave”.
Qeveria italiane miratoi një paketë masash që kanë për synim të luftojnë burokracinë dhe nxisin rritjen në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës.
I njohur ndryshe si “dekreti i thjeshtimit,” ai u miratua pas disa javë përplasjesh dhe negociatash politike, ndërsa është cilësuar nga kryeministri Giuseppe Conte si “nëna e të gjitha reforma” për të ndihmuar ekonominë e gjunjëzuar nga coronavirusi.
Dekreti mbulon tenderët e sektorit publik, dixhitalizimin dhe përgjegjësinë penale për zyrtarët e administratës. Një reformë e tillë është synuar edhe nga qeveritë e mëparshme, por ajo ka dështuar.
Dekreti i kryeministrit Conte lejon tani ndërmarrjen e projekteve të vogla pa pasur nevojë për procesin e tenderimit publik, si dhe gjithashtu thjeshton procedurat për projekte të mëdha deri në 5.2 milionë euro.
Gjithashtu bëhet më i qartë përcaktimi për abuzim me postin. Zakonisht zyrtarët italianë i bllokojnë projektet e investimeve nga frika se mund të hetohen për korrupsion.
“Ne duam të tejkalojmë që ashtuquajturën frikë të nënshkrimit,” u tha më herët kryeministri Conte ligjvënësve.
Kjo reformë ka shkaktuar përçarje brenda koalicionit qeverisës, me Lëvizjen Pesë Yjet që shqetësohet për nxitjen e korrupsionit.
Dekreti gjithashtu thjeshton procedurat për instalimin e rrjeteve të reja të internetit dhe kufizon fuqitë e kryebashkiakëve për të kundërshtuar instalimin e infrastrukturës 5G.