Italia rinis mësimin në klasa, hyrje e rregullt e nxënësve dhe shumë kontroll
Pas më shumë se 6 muajve qëndrimi mbyllur, më gjatë se çdo vend tjetër europian, Italia rihapi të hënën shumicën e shkollave të veta.
Këtë vit, në kushtet e pandemisë së Covidit të ri dhe masave mbrojtëse, në Kryeqytetin italian ishin të rralla skenat e përqafimeve mes nxënësve apo ecjet dorë për dore nëpër korridore.
Fëmijët u pritën në klasa pas matjes që në hyrje të temperaturës, në banka të veçanta dhe me dezinfektues e maska të shpërndara për përdorim gjatë mësimit.
“Dy vajzave të mia të vogla u kam thënë që të mos ndjehen ngushtë. U kam shpjeguar se si të shmangin kontaktet, të puthurat përqafimet, por edhe nuk dua që të jetojnë në terror. Duhet ta kuptojnë se gjërat do të përmirësohen“
Rreth 5 milionë e gjysmë nxënës iu rikthyen mësimit në klasa në 13 nga 20 rajonet e vendit.
Në 7 rajonet e mbetura autoritetet kanë vendosur shtyrjen e mësimit me një javë.
Shkollat kanë udhëzuar që nxënësit me simptomat të ftohti apo temperature të qëndrojnë në shtëpi dhe ata mbi gjashtë vjeç të mbajnë maska edhe jashtë klasave.
Prej frikës së infeksionit të koronavirusit, Patrizia Zucchetta, mësuese veterane me 34 vite përvojë, e zhvillon mësimin jo më me nxënësit përreth në klasa, por me stola dhe në natyrë.
“E kemi të vështirë të punojmë në këto kushte kur po rriten rastet me Covid-19. Isha mësuar të hyja në klasa dhe t’u lexoja një libër fëmijëve teksa qëndronin ulur në formë rrethi. Jemi të lumtur që sot po i takojmë, por mungesa e kontaktit të ngushtë ka për të qenë i vështirë.”
Sindikatat janë ankuar se qeveria nuk ka vënë ende në dispozicion mbi 2 milionë banka teke që do garantonin distancimin mes nxënësve, ndërkohë që mijëra vende pune në mësimdhënie kanë mbetur bosh pasi më të vjetrit nuk paraqiten pasi i druhen rrezikut të sëmundjes infektive.
59 për qind e mësuesve janë mbi 50 vjeç në shkollat fillore dhe gjimnazet italiane, moshë mesatare kjo më e larta ndër vendet perëndimore.
Në Itali, ndërkohë, rreth 35,500 persona kanë mbetur viktima të Covidit-19 dhe numri në rritje i rasteve të reja ka shtuar frikën e një vale të dytë infeksioni në vend.