Izrael, Netanjahu fiton zgjedhjet por jo shumicën
Partia e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, ka fituar zgjedhjet e treta parlamentare në Izrael në më pak se një vit. Grupimi i tij i djathtë megjithatë numëron 59 deputetë kur duhen të paktën 61 për të formuar qeverinë.
Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka fituar sërish zgjedhjet e parakohshme të mbajtura të hënën, por pa siguruar shumicën parlamentare.
Nga rezultatet paraprake, partia “Likud” e 70-vjeçarit ka marrë mbi 29 për qind të votës popullore, duke rritur nga 32 në 36 numrin e parlamentarëve.
Grupimi i djathtë ku ai bën pjesë do i nevojitet të bashkëpunojë me partitë e tjera për të kaluar pragun e 60 deputetëve nga 120 që ka në total.
“Kjo ishte fitore jashtë çdo pritshmërie. Rivalët tanë thanë se epoka e Netanjahut ka përfunduar, por të bashkuar ne e përmbysëm situatën,” deklaroi kryeministri, i cili për dy javë do përgjigjet para drejtësisë për akuzat e ryshfetit dhe mashtrimit.
Ai tha se do mundohet të përgatitë kabinetin e ri qeverisës përpara fillimit të gjyqit më 17 mars.
Rivali i tij kryesor, ish-ushtaraku i majtë Beni Ganx, që fitoi zgjedhjet e shtatorit, humbi mbështetjen duke marrë mbi 26 për qind të votave apo 32 deputetë, ndërsa grupimi propalestinez “Lista e Përbashkët” ka dalë forca e tretë me rreth 13 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte nga më të lartat në 71 për qind, çka tregoi se qytetarët mbeten të vendosur për t’i dhënë fund ngërçit për një qeveri të qëndrueshme që vazhdon prej një viti.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të fundit pritet të publikohen të enjten.