Izraeli sulmon Hamasin në Gaza, OKB: Situata po “përkeqësohet shpejt”
Izraeli sulmoi disa pozicione të militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, për shkak të sulmeve me raketa. Hamasi po përpiqet t’i bëjë presion Izraelit të heqë bllokadën ndaj Gazës. Edhe OKB-ja vlerëson se gjendja në Gaza po “përkeqësohet shpejt”. Mësohet gjithashtu se Egjipti dhe Katari po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim joformal mes palëve.
Ushtria izraelite njoftoi goditjen e pozicioneve të militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, përfshirë një vend prodhimi armësh, pasi të premten gjashtë raketa u qëlluan nga territori i Gazës.
Deri tani nuk ka njoftime për viktima ose dëme të mëdha, por, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, paralajmëroi se situata po “përkeqësohej shpejt” dhe se “jeta brenda territorit të bllokuar palestinez ishte bërë e padurueshme”.
Izraeli dhe Hamasi, grupi militant islamik që udhëheq me Gazën, kanë shkëmbyer zjarr në disa raste javët e fundit.
Hamasi po bën presion ndaj Izraelit për të lehtësuar bllokadën në Gaza dhe të lejojë projekte zhvillimi në shkallë të gjerë. Egjipti dhe Katari po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim joformal.
Bassem Naim, një zyrtar i Hamasit, paralajmëroi përshkallëzim të mëtejshëm, duke thënë se “kushtet katastrofike që Rripi i Gazës po kalon janë të pashembullta”.
Izraeli dhe Egjipti vendosën një bllokadë në Rripin e Gazës, pasi Hamasi mori pushtetin nga forcat rivale palestineze në vitin 2007. Izraeli thotë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar Hamasin të shtojë arsenalin e tij.
Deri tani Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar tri luftëra dhe disa beteja më të vogla që nga vendosja e bllokadës.