Japoni, mbi 50 viktima nga përmbytjet

Rajonet jugore të Japonisë po kalojnë prej ditësh kohët më të vështira për shkak të shirave të dendur dhe përmbytjeve që deri tani u kanë marrën jetën mbi 50 personave.

Të paktën 52 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 të tjerë rezultojnë të humbur si pasojë e shirave të rrëmbyer që nga e premtja e kaluar kanë përfshirë jugun e Japonisë.

Teksa rreth 40 mijë forca shpëtimi dhe ushtarakë vijonin operacionet për gjetjen e të mbijetuarve, reshje edhe më të dendura goditën të martën rajonin ishullor të Kjushusë.

Një grua 87-vjeçare ndërroi jetë në spital pasi u gjet në shtëpinë e saj të përmbytur një ditë më parë, duke e çuar në 51 numrin e viktimave vetëm në kryeqytetin Kumamoto të prefekturës.

Mes viktimave, pa shenja jete u gjetën fundjavën e kaluar edhe 14 banorët e një klinike për të moshuarit që nuk i mbijetuan dot vërshimit të ujërave të lumenjve në ambientet ku ata jetonin.

Me kalimin e orëve autoritetet presin që bilanci të rëndohet ndërsa paralajmëruan rreziqe prej përmbytjeve në qytetet e tjera të afërta, mes tyre Nagasaki.

Evakuimi po bëhet më i vështirë në rrethanat e pandemisë së kovidit të ri, që në vend ka prekur më pak se 20 mijë veta dhe ka lënë më pak se 1 mijë viktima.

“Shirat kanë dobësuar qëndrueshmërinë e terrenit, ndaj i druhemi rrëshqiteve të tokës edhe po nga shiu më i lehtë. U kërkojmë banorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të kenë kujdes nga daljet e lumenjve nga shtrati. Për sa i përket koronavirusit, duhen ndjekur masat, të shmangen zonat e populluara, të ngushta dhe kontaktet me njerëzit në qendrat e evakuimit.”

Reshjet në qytetet jugore japoneze arritën të hënën rekordin më të lartë historik, rreth 109 milimetra shi brenda orës.

Përmbytjet e sivjetme janë fatkeqësia më e rëndë natyrore me të cilën ndeshet vendi pas tajfunit “Hagibis” që goditi tetorin e kaluar, duke lënë për pasojë rreth 90 të vdekur.

SHKARKO APP