“Jemi afër zgjidhjes”

 

Optimist se ndodhemi afër zgjidhjes për një kohë të shkurtër sa i përket marrëveshjes së ndërmjetme, u paraqit kryeministri Aleksis Cipras, gjatë fjalës në mbledhjen e këshillit të ministrave, sipas burimeve qeveritare. “Jam optimist se ndodhemi afër zgjidhjes e cila do të lëvizë në kuadrin e mandatit popullor që kemi marrë dhe që do të përcaktohet nga vijat e kuqe që kemi vendosur”, nënvizoi Aleksis Cipras gjatë informimit që u bëri pjesëtarëve të këshillit të ministrave për ecurinë e negociatave. Të njëjtat burime thanë se kryeministri analizoi para ministrave të gjitha zhvillimet dhe në cilat pika gjenden ato. Më tej, burimet vunë në dukje se qeveria dëshiron të ketë marrëveshje deri më 11 maj apo edhe më herët, ndërsa mbetet e hapur mundësia që të kërkohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Eurogrupit. Pala greke synon përshpejtimin e konsultimeve me institucionet dhe konsideron se është e mundshme thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme të Eurogrupit të hënën, 4 maj, ku do të evidentohet progresi i negociatave. Kështu bënë të ditur nga Brukseli burime të mirinformuara greke, duke shpjeguar se synimi kryesor i qeverisë është arritja e marrëveshjes brenda dy ditëve të ardhshme “për çështjet e maturuara”, domethënë ato për të cilat negociatat thuajse kanë përfunduar. Oferta e palës greke, sipas të njëjtave burime, parashikon që në fazë të parë të jepet një mesazh politik ndaj Bankës Qendore Europiane që do t’i mundësojë heqjen e kufizimeve që ka vendosur në lidhje me financimin e sistemit kreditues grek. Në fazë të dytë, shënojnë burimet, do të vendosen në tavolinë edhe çështjet e tjera “të mprehta”, me objektiv tashmë marrëveshjen finale, të cilën Eurogrupi e ka parashtruar si kusht të domosdoshëm për disbursimin e fondeve që i janë akorduar Greqisë në bazë të kredisë së kontraktuar. Konsultimet në nivel të “Brussels Group” filluan të premten dhe sipas programacionit aktual do të përfundojnë të shtunën në mbrëmje. Si temë kryesore në bisedime ishin çështjet e kuadrit makroekonomik, të objektivave fiskalë, të suficiteve primare dhe të vlerësimeve afatgjata deri në 2022. Në vazhdim, do të diskutohen privatizimet dhe problemet në sektorin bankar grek. Grupi negociator grek përbëhet nga shtatë vetë, ndërsa në diskutime marrin pjesë edhe ekipe teknike, në varësi të temës që shtrohet. Grupi i ekspertëve të eurozonës (Euro Working Group) ka vendosur intensifikimin e negociatave midis Greqisë dhe partnerëve, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje paraprake deri të dielën, sipas agjencisë Bloomberg. Objektivi është që marrëveshje të nënshkruhet nga ministrat e financave të eurozonës në takimin e 11 majit, sipas zyrtarëve që citon Bloomberg. Sipas agjencisë, një faktor përcaktues në këtë zhvillim të mundshëm , mund të jetë vendimi i kryeministrit Aleksis Cipras që të ndërhyjë dhe të ketë rol më aktiv në negociatat. Megjithatë, nënvizon Bloomberg, një marrëveshje do të mund të ndeshet me mosmarrëveshje brenda qeverisë. Ndërkaq, Komisioni Europian ka shprehur kënaqësinë për “thellimin dhe intensifikimin” e negociatrave midis autoriteteve greke dhe përfaqësuesve të institucioneve. Zëdhënësi i KE, Margaritis Schinas, theksoi se negociatat e Brussels Group po vazhdojnë me “frymë konstruktive” dhe se Komisioni pret të shohë progres. Burime komunitare thanë se konsultimet në Grupin e Brukselit do të vazhdojnë deri të dielën, dhe se në tryezë do të hidhen të gjitha çështjet. Të njëjtat burime ndërkaq, vërenin se nuk pajtoheshin me optimizmin mediatik se marrëveshja mund të arrihet deri të dielën. Ndërkohjë Fondi Monetarë Ndërkombëtar (FMN) thekson se nuk pritet dalje e Greqisë nga Eurozona. Po shqyrtojmë skenarë të ndryshëm, mirëpo nuk presim daljen e Greqisë nga Eurozona, deklaroi zëdhënësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Jerry Rice, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. “Gjithmonë shqyrtojmë skenarë të ndryshëm për vende të ndryshme, kjo është pjesë e punës tonë”, tha Rice. “Në gjithë programet ku përfshihemi, shqyrtojmë skenarë të ndryshëm. Nuk presim një Grexit”, vazhdoi Rice, duke theksuar se qeveria greke ka nënvizuar vazhdimisht se dëshira e saj është që të qëndrojë në Eurozona dhe të bëjë veprimet e duhura që ky objektiv të mos vihet në rrezik. Ministri i financave, Janis Varufaqis ka përgënjeshtruar njoftimet lidhur me rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në ishujt, duke thënë se “nuk ekziston një diskutim i tillë”. Nga ana tjetër, Varufaqis nuk e përjashtoi që të vendoset taksë vetëm në resortet luksoze dhe jo në hotelet me tre yje. Ministri vlerësoi se një masë e tillë nuk do të shkaktojë reagime, pasi dikush, në vend që të paguajë 1.000 euro natën për një dhomë, do të paguajë 1.040. Duke folur për negociatat me partnerët, Varufaqis tha gjartë një bisede me gazetarët se në marrëveshjen e madhe të qershorit do të diskutiohen dy çështjet madhore për të cilat qeveria ka vendosur “vija të kuqe”, dhe kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të pensioneve dhe sistemin e sigurimeve shoqërore. Ndërsa gazeta gjermane Suddeutsche Zeitung thotë se shtrëngesa e ashpër nuk është zgjidhje për Greqinë. Nëse zhvillimi ekonomik gjendej në përputhje me nivelin e reduktimit të shpenzimeve dhe rritjen e tatimeve, atëherë Greqia do të duhej të ishte kampione e zhvillimit ekonomik, vlerëson gazeta gjermane, Suddeutsche Zeitung në një artikull të vetin, duke shpjeguar se përse shtrëngesa në vetvete nuk është zgjidhje për problemet ekonomike të Greqisë. Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim(OECD), Greqia ka bërë më shumë reforma nga sa Irlanda, Spanja dhe Portugalia. Siç vë në dukje gazeta, pesë vitet e fundit grekët kanë parë rrogat e tyre të reduktohen me mesatarisht 20%, fuqinë e tyre blerëse të ulet me një të katërtën, ndërsa paralelisht shpenzimet publike u kufizuan në një të tretën. Pas uljeve në paga, kompetiviteti në Greqi u përmirësua me 25%, më tepër nga sa në Irlandë. Mirëpo, gjithë k&eum
l;to, nuk e ndihmuan dhe shumë vendin dhe tashmë shtrohet pyetja nëse programet e ashpra të shtrëngesave ishin vërtet të dobishme. Siç shpjegon gazeta gjermane, çdo reduktim shpenzimesh dhe rritja taksash do të thotë se dikush humbet para, të cilat nuk do të mundet më të shpenzojë. Në këtë mënyrë humbet të ardhura edhe ministria e financave dhe krijohet një rreth vicioz, sipas Suddeutsche Zeitung.

Kujtim Vani

SHKARKO APP