Kanadaja akuzon për “diplomaci të pengmarrjes”

Kina është akuzuar nga Kanadaja për “diplomaci të pengmarrjes”. Dy shtetas të saj qëndrojnë nën arrest me akuzat e spiunazhit. Gjyqi ndaj ish-diplomatit Michael Kovrig u zhvillua pa praninë e përfaqësuesve diplomatikë.

Kina mbajti gjyqin e radhës kundër ish-diplomatit kanadez, Michael Kovrig, i akuzuar për spiunazh.

28 diplomatë nga 26 shtete, mes tyre SHBA-ja, Britania, Gjermania, Australia u paraqitën të hënën përpara godinës së Gjykatës në Pekin në shenjë solidariteti me të akuzuarin.

Procesi ndaj Kovrigut shihet më shumë si politik, pasi u arrestua në vitin 2018 kur Kanadaja sapo kishte ndaluar drejtuesen e lartë të kompanisë kineze “Huawei”, Meng Uanzhou.

Përfaqësuesve të selive diplomatike kanadeze dhe amerikane nuk iu lejua qasja në gjyq.

“Konventa e Vjenës, të cilën Kina e ka firmosur, u njeh konsujve të drejtën të marrin pjesë në seancat për qytetarët e tyre, por kjo kërkesë na është refuzuar në vazhdimësi. Shqetësohemi sepse procesi nuk është transparent dhe si arsye na japin çështjen e sigurisë kombëtare,” tha Jim Nickel i ngarkuari kanadez në ambasadën në Bejing.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për mungesën minimale të procedurave të mbrojtjes që u janë garantuar dy qytetarëve kanadezë gjatë dy viteve ndalimi arbitrar,” u shpreh Uilliam Klein, zëvëndës shefi i misionit i ambasadës amerikane.

Javën e kaluar, në gjykatën e Pekinit u paraqit edhe biznesmeni kanadez, Majkëll Spavor, i arrestuar në të njëjtën kohë me Kovrigun nën akuzën e disponimit të sekreteve kombëtare dhe nxjerrjes së tyre jashtë Kinës.

SHKARKO APP