Kancelari gjerman apel Trumpit: Jepini fund luftës me Iranin, çmimi i karburanteve po rritet
Zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që t’i japë fund luftës me Iranin, të cilën e cilësoi si “të papërgjegjshme”.
Përpara vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme, ku do të marrë pjesë në takimet e G20-s, Klingbeil tha se përfundimi i konfliktit duhet të jetë një nga mesazhet kryesore që Gjermania dhe Evropa i përcjellin Uashingtonit. “Ky është mesazhi më i rëndësishëm, edhe për SHBA-në: përfundoni këtë luftë”, deklaroi ai. Ministri gjerman e lidhi gjithashtu konfliktin me rritjen e çmimeve të karburanteve, duke e bërë drejtpërdrejt përgjegjës Trumpin për situatën.
“Donald Trump është përgjegjës për luftën e papërgjegjshme që filloi në Iran. Këto janë pasojat që shohim në stacionet e benzinës”, u shpreh Klingbeil. Ndërkohë, ai riktheu në vëmendje propozimin për vendosjen e një takse evropiane mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës. Sipas tij, kompanitë energjetike po përfitojnë nga pasiguria dhe tensionet gjeopolitike.
“Ato po mbushin xhepat e tyre! Kjo duhet të ndalet”, tha Klingbeil. Çështja e fitimeve të kompanive të naftës pritet të jetë pjesë e diskutimeve në takimin e ministrave të Financave të vendeve të G20-s, që do të zhvillohet të hënën dhe të martën në Asheville, Karolina e Veriut. Takimi zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e G20-s që pritet të mbahet në Miami në dhjetor.
KOHA JONË SONDAZH

