KE: Ekonomia greke me në fund po rimëkëmbet
Në raportin për Greqinë, që titullohet “Ekonomia më në fund po rimëkëmbet”, KE nënvizon se pas gjashtë vitesh recesioni, 2014-a pritet të jetë një “pikë kthese” për Greqinë. Siç vihet në dukje, “rimëkëmbja e shumë dëshiruar” do të ketë si forcë lëvizëse konsumin privat dhe eksportet, por shtohet se dimensioni i rezultateve pozitive do të varet nga zbatimi i politikave në investimet”.
Sipas KE, në tremujorin e parë të 2014-s, ritmi i zhvillimit ekonomik në Greqi ishte i dobët, në raport me atë që pritej, mirëpo në tremujorin e dytë zhvillimi u forcua dhe vlerësohet se do të forcohet akoma më tepër tremujorin e tretë të këtij viti.
Ndërkaq, KE vë në dukje se kushtet “e shtrënguara” në dhënien e kredive, por edhe absorbimin e ulët të fondeve nga BE dhe Banka Europiane e Investimeve vazhdojnë ende të jenë pengesë për rimëkëmbjen e investimeve. Gjithsesi, vihet në dukje se do të rritet konsumi privat, ndërsa eksportet do të kenë performancë pozitive, falë turizmit dhe marinës tregtare.
Më konkretisht, KE vlerëson se në 2014 zhvillimi në Greqi do të shënojë një rritje 0,6% të GDP dhe se në 2015 do të rritet edhe më shumë, në 2,9%.
Rrezik kryesor, pasiguria
KE thekson se zhvillimi në Greqi mund të dëshmohet më pak dinamik, nëse pasiguria lidhur me zbatimin e politikave do të ketë impakt negativ në besimin e investitorëve apo nëse zhvillimet gjeopolitike gjithashtu do të kenë impakt negativ më të madh në rajon.
Situata fiskale përmirësohet
KE nënvizon se deficit fiskal i Greqisë arriti në 12,2% tl GDP në 2013 (nga 8,6% në 2012), për shkak të kostos provizore në rikapitalizimin e bankave që arriti në 10,4% të GDP në 2013. Ndërkaq, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Komisioni Europian, thekson se “situata fiskale e Greqisë u përmirësua në mënyrë të konsiderueshme në 2013”.