Kërcënimi nga sistemi raketor rus/ Ministrat e NATO-s mblidhen për të diskutuar
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ministrat e mbrojtjes së aleancës do të takohen këtë javë, për të vlerësuar sfidën e paraqitur nga sistemet raketore të Rusisë.
Ministrat do të mblidhen në Bruksel, më 12 shkurt, për bisedime dy-ditore, pas dështimit të Traktatit të Forcave Bërthamore ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, që datonte nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi është nënshkruar në vitin 1988 nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i Bashkimit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev.
Traktati i ka ndaluar të dyja palët të zhvillojnë dhe prodhojnë raketa me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra. Shtetet e Bashkuara, si dhe NATO-ja e kanë akuzuar Rusinë për shkelje të paktit me zhvillimin e sistemit 9M729, të njohur edhe si SSC-8, shkruan Rel.
“Aleatët e NATO-s kanë qëndruar të bashkuar sa i përket shkeljes së traktatit nga ana e Rusisë”, tha Stoltenberg, në një konferencë për media më 11 shkurt.
Stoltenberg: Temë diskutimi Iraku dhe Afganistani
Stoltenberg tha se ministrat do të diskutojnë edhe për të ardhmen e misionit të NATO-s në Irak “për tu siguruar që Shteti Islamik (IS) nuk mund të rikthehet” si dhe të vlerësojnë se “çfarë mund të bëjë më shumë NATO-ja për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon”
NATO-ja dhe koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit ekstremist, të ashtuquajtur, Shteti Islamik, mbajnë misione trajnimi për forcat irakiane. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje që misioni i aleancës të marrë përgjegjësi më të madhe.
Të gjitha vendet që kontribuojnë në misionin e trajnimit të NATO-s në Afganistan do të takohen gjithashtu në Bruksel, tha Stoltenberg, duke këmbëngulur që aleatët “mbështesin plotësisht përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit dhe arritjes së një zgjidhjeje paqësore”.