Kërkesa për doreza e papërballueshme, Europa dhe SHBA dyfishojnë porositë si pasojë e pandemisë
Përhapja e pandeminë së koronavirusit në botë po e bën të papërballueshme kërkesën e lartë për doreza mbrojtëse. Një nga prodhuesit kryesorë të tyre thotë se disa tregje do të marrin vetëm 20 për qind të sasisë shtesë të porositur në këtë kohë.
Një nga prodhuesit më të mëdhenj të dorezave mbrojtëse në botë paralajmëron se nuk do i përgjigjet dot kërkesave në rritje në kohën kur pandemia e koronavirusit sa vjen e përhapet.
Firma malajziane “Top Glove Corporation”, që prodhon rreth 200 milionë të tilla përditë, thotë se në javët e fundit vendet si Europa dhe Shtetet e Bashkuara thuajse kanë dyfishuar porositë e tyre.
“Nga paniku, disa klientë që normalisht porositnin 10 kontejnerë me doreza tani papritur kërkojnë 20 kontejnerë, pra dyfishin. Por kapacitetet tona janë të kufizuara, ndaj do u shpërndajmë vetëm një 10 apo 20 përqindësh shtesë që çdo klient tjetër të marrë sasinë e nevojshme,” shprehet drejtuesi i kompanisë, Lim Ue Çai.
Të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se mungesa kritike e mjeteve personale si dorashkat, maskat apo veshjet mbrojtëse është një nga kërcënimet më urgjente që has planeti në luftën për të mbajtur virusin nën kontroll.
“Kur klientët na porositin 100 për qind më shumë sasi dhe ne e rritim prodhimin vetëm me 20 për qind, mungesat shkojnë nga 50 në 80 për qind. Këtë mungesë nuk mund ta kompensojmë as me staf të ri pasi janë në fuqi rregullat e ndalimlëvizjes,” shpjegon përfaqësuesi i firmës malajziane që realizon 1 në çdo 5 dorashka të shitura botërisht.
Të infektuarit me Covid-19 po i afrohen shifrës 700 mijë në 202 vende të botës, veçanërisht në SHBA që tani është vatra më e re e pandemisë globale.