Kërkohet hetim për origjinën e Covid-19, por ja çfarë thotë Kina. Kushti që vendos nëse do të nisë…
Ndërsa në të gjithë botën po shtohet mbështetja për një hetim të pavarur rreth origjinës së shpërthimit të koronavirusit, Kina tha të hënën se një hap i tillë është i parakohshëm.
Presidenti kinez Xi Jinping i doli në mbrojtje reagimit të vendit të tij ndaj pandemisë COVID-19, duke thënë se Kina ka vepruar hapur dhe me përgjegjësi në ndarjen e informacionit me bashkësinë ndërkombëtare. Duke folur në një konferencë të Organizatës Botërore të Shëndetit përmes një videokonference, Xi tha se nëse Kina arrin të zhvillojë një vaksinë, do ta ndajnë atë gjerësisht.
“Së bashku, ne kemi vepruar me transparencë dhe përgjegjësi,” tha Xi.
Xi tha se Kina publikoi sekuencën e gjenomit të virusit “në kohën më të shpejtë të mundshme” dhe ndau përvojën e saj të përpjekjeve për të kontrolluar dhe trajtuar sëmundjen.
Gjatë fjalimit të tij Xi përqafoi edhe idenë e një rishikimi zyrtar të përgjigjes ndaj pandemisë – megjithëse ai e bëri këtë në terma të gjerë, dhe me kushtin se hetimi duhet të udhëhiqej nga OBSH-ja, dhe pasi të ketë mbaruar pandemia.
Një rezolutë e hartuar nga Bashkimi Evropian pritet të marrë miratimin këtë javë në Asamblenë Botërore të Shëndetit, organi drejtues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rezoluta kërkon një hetim për çështjen se si filloi pandemia dhe se cilat ishin përgjigjet ndaj saj.
Australia është ndër përkrahësit më të zëshëm të një hetimi të tillë. Ministrja e Jashtme Marise Payne tha të hënën se dëshiron që ky hetim të jetë “i paanshëm, i pavarur dhe gjithëpërfshirës”.
Koronavirusi i ri u identifikua për herë të parë publikisht në Kinë në fund të dhjetorit dhe është përhapur në të gjithë botën, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 315,000 njerëzve.
Në SHBA numri i të konfirmuarve me koronavirus është mbi 1 milion e 500 mijë dhe i të vdekurve mbi 90 mijë. Mbyllja e qyteteve ka paralizuar ekonomitë dhe Japonia u bë sot një vend tjetër që njoftoi se ekonomia e saj ra në recesion në tremujorin e parë të këtij viti./VOA