Kina do marrë pjesë në mbledhjen e OBSh-së për epideminë e pneumonisë së koronavirusit të ri
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Geng Shuang tha të martën në Pekin se Kina do të marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit të Emergjencës të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit, me ftesë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Vendet pjesëmarrëse, OBSh-ja dhe ekspertët përkatës do të ndajnë informacionin mbi epideminë e pneumonisë të shkaktuar nga një tip i ri koronavirusi dhe do të gjykojnë shkencërisht situatën e epidemisë.
Në një konferencë të rregullt për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Geng Shuang paraqiti situatën përkatëse. Pas shpërthimit të pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, qeveria kineze i ka kushtuar një rëndësi të madhe parandalimit dhe kontrollit të epidemisë dhe ka bërë një planifikim të plotë të punës përkatëse. Me një qëndrim të hapur, transparent dhe shumë të përgjegjshëm ndaj sigurisë shëndetësore globale,
Kina njoftoi vendet përkatëse të OBSh-së dhe rajonet e Hong-Kongut, Makaos e Tajvanit për situatën e epidemisë në kohën e duhur, dhe menjëherë ndau informacionin për renditjen gjenetike të koronavirusit të ri. Geng Shuang tha:
“Me sa jam në dijeni, të mërkurën, me ftesën e OBSh-së, Kina do të marrë pjesë bashkë me vendet e tjera të prekura nga epidemia në mbledhjen e Komitetit të Emergjencës të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit. Vendet pjesëmarrëse, OBSh-ja dhe ekspertët përkatës do të ndajnë informacione e do të kryejnë kërkime shkencore mbi situatën e epidemisë. Kina është e gatshme të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur situatës së epidemisë dhe për të mbrojtur bashkërisht sigurinë shëndetësore rajonale dhe globale”. / Marrë nga CRI