Kina e shqetësuar nga një tjetër fenomen! “Rinia pezull” kërcënon “ëndrrën kineze”

Në një shoqëri ku suksesi kërkon orë tejet të gjata pune dhe të ndeshur me një kosto të lartë jetese dhe çmime të paarritshme për banesa, shumë të rinj kinezë po “qëndrojnë pezull” në shenjë dekurajimi, të velur nga fryma e përgjithshme e rendjes pas suksesit.

“Qëndroj pezull” është bërë një term popullor për të treguar se individi ka vendosur të mos e ndryshojë situatën personale: nuk do të martohet, të bëjë fëmijë apo të përpiqet për rritje në karrierë, siç shpjegon forumi kinez online, Zhihu.

Lëvizja tang ping ndjek parimin e përpjekjes minimale në jetë, mjaftueshëm për të ruajtuar stilin ekzistues të jetesës. Ata që e përqafojnë këtë lëvizje, e shohin si mënyrë për të kundështuar “praktikën 9-6-6” pra punë nga ora 9 e mëngjesit deri në 6 pasdite, gjashtë ditë në javë, një orar i praktikuar gjerësisht në sektorin e teknologjisë së lartë që tani është përhapur edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë kineze, megjithëse në shumë raste edhe puna me orë të gjata e fundjavë të shkurtuar nuk mjafton për të ecur përpara në një vend ku kostoja e jetesës bëhet gjithnjë e më e lartë.

Autoritetet kineze kanë shprehur shqetësim për prirjen “qëndrojmë pezull” pasi udhëheqja në Pekin e ka parë prej kohësh ambicjen e rinisë së arsimuar për të ecur përpara si faktor për stabilitetin social, sipas gazetës China Daily.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, të rinjtë e sapo-diplomuar në 2021 po konkurrojnë me diplomantët e 2020 të cilët ende nuk kanë gjetur punë, sipas gazetës South China Morning Post.

Rimëkëmbja pas pandemisë duket se po rihap vende pune për punonjës krahu, sipas gazetës The New York Times. Për këtë arsye, shumë të rinj të arsimuar nuk shohin ndonjë arsye të mirëfilltë të bëjnë gjë tjetër përveçse të “qëndrojnë pezull”.

“U diplomova dy vjet më parë në një nga universitetet më të mira në Nanjing në degën e arkitekturës, por nuk gjeta punë dhe prandaj jam këtu,” thotë 24-vjeçari Zhang, i cili jeton në një zonë rurale të provincës Sishuan. Ai foli me shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën kineze, me kusht që të mos identifikohej me emër të plotë për të mos tërhequr vëmendje.

Zhang thotë se shumë shokë që u diplomuan me të ende nuk janë stabilizuar në qytete të mëdha prandaj “kthehen në qytetet e lindjes ose të sëmurë nga puna e rëndë që kanë bërë, ose me një mal me borxhe”.

Është zgjedhje

“Që në fillim vendosa se do të “qëndroj pezull”. Në qytetet e mëdha është shumë e vështirë të blesh banesë e makinë, apo të njihesh me dikë me të cilën do të martohesh, do të bësh fëmijë, do t’i rrisësh me të gjitha kërkesat e kurset e arsimin që kërkohet,” thotë ai. “Prandaj vendosa se më përshtatet më mirë jeta e thjeshtë: bëj ndonjë punë të vogël sa për të bërë pak para”.

Për herë të parë termi “qëndroj pezull” u shfaq në mars në forumin online Tieba në platformën kineze të kërkimit online, Baidu. Një përdorues anonim kishte shkruar “Qëndrimi Pezull është Drejtësi” duke shpjeguar se si mund të bënte jetë të lumtur në Kinë i sapo-diplomuar në 2019 me një pagë prej vetëm 777 dollarësh, sipas portalit mediatik kinezChina Banking News.

“Qëndro pezull/shtrirë në shtëpi apo jashtë saj, siç qëndrojnë qentë e macet e rrugëve. Unë zgjedh këtë mënyrë sepse nuk e duroj dot më stresin”. Autori i postimit nuk specifikonte se sa rrogë merrrte, por shtonte se bënte punë të vogla, të rastit dhe shpenzonte rreth 32 dollarë në muaj. Ai nuk jepte hollësi mbi koston për strehimin, por shumë të rinj kinezë deri kur martohen jetojnë me prindërit.

Përgjigja e qeverisë

Nga fundi i muajit maj, qeveri kineze filloi t’u kundërvihej këtyre teorive. “Kina është në një ndër etapat më të rëndësishme në rrugën e saj të rilindjes kombëtare. Të rinjtë janë shpresa e vendit. As gjendja e tyre personale dhe as ajo e vendit nuk do të lejojë të qëndrojnë “kolektivisht pezull” thuhej më 28 maj në një artikull redaksional të Global Times, një revistë e kontolluar nga Partia Komuniste Kineze dhe e cituar nga e përditshmja e Hong Kongut South China Morning Post.

Analistët thonë se “qëndrimi pezull” e ka burimin tek mungesa e mundësisë për të përparuar. Ata që kanë lindur në vitet ’50, ’60 and ’70 përfituan nga politikat e Ten Siaopinit të vitit 1978 – një seri reformash që transformuan ekonominë dhe e hapën vendin për investimet e huaja. Reformat përgatitën terrenin për ngjitjen ekonomike të Kinës dhe për lindjen e gjigandëve me aktivitet global si Huawei dhe Alibaba.

“Në atë kohë Kina përqafoi politikën “të lëmë ca njerëz të pasurohen,” shpjegon për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën kineze Xie Fei, prezantues në Rrjetin e Transmetimeve Henan Broadcasting dhe komentator në televizionin kinez Zhejiang.

“Por brezi aktual nuk ka ndeshur të njëjtat mundësi si prindërit e tyre për të arritur ngjitje klasore. Pra nuk ka shpresa që ata të kenë një pasurim bombastik si brezi i mëparshëm”.

Sipas statistikave të 2017 nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale, kinezët nën 35 vjeç ndeshin probleme nga punësimi në punë të përkohëshme, të parregullta me rroga më të ulëta. Lin Thung-Hong, studiues në Institutin e Sociologjisë Akademike në Tajvan thotë se kjo rezulton në një farë mase nga ngadalësimi ekonomik i viteve 2015-2016. Studimet tregojnë se të rinjtë e kanë më të vështirë të gjejnë punë.

“Zhvillimi ekonomik i Kinës është ngadalësuar dhe të rinjve u ofrohen më pak mundësi. Këto prirje për të mos u përpjekur shumë për sukses pasqyrojnë klimën e përgjithshme ekonomike në vend,” tha ai për Shërbimin e Zërit të Amerikës në dialektin mandarin të gjuhës kineze.

‘E Pajustifikueshme’

Kur të sapo-diplomuarit gjejnë punë, shumë janë nën presion për të punuar me orar të zgjatur. 35-vjeçarja Lucy Li punon në sektorin bankar në Pekin. Ajo kërkon të prezantohet me pseudonim se shqetësohet që mund të shenjestrohet për hakëmarrje nga shefi.

“E di që praktika e punës 9-6-6 (punë nga 9 e mëngjesit në 6 të darkës, gjashtë ditë të javës) praktikohet gjerësisht në sektorin teknologjik, por tani është përhapur edhe në sektorë të tjerë,” tha ajo për Zërin e Amerikës, Shërbimin në dialektin mandarin të gjuhës kineze. “Në bankën ku punoj, drejtuesit vijnë për kontroll të panjoftuar në orën 20 për të parë kush është ende në zyrë dhe punonjësit që janë në punë janë ata që rriten në përgjegjësi”.

“Për rrjedhojë, të gjithë rrimë në punë 12 orë në ditë. Por kjo është e papërballueshme,” thotë ajo.

Një i ri tjetër, i prezantuar me emrin Wang, thotë se dha dorëheqjen nga puna në gjigandin teknologjik Alibaba sepse shpesh fillonte punë në 7 të mëngjesit, kthehej në shtëpi në orën 19 dhe pasi vinte fëmijët në gjumë rikthehej në zyrë rreth orës 21. Ai tregon se shpesh punonte deri në mesnatë apo ndoshta 2-3 pas mesnate, sidomos gjatë periudhave kur po dilnin me një produkt të ri. Ai u kërkoi gazetarëve të Zërit të Amerikës ta citonin vetëm me mbiemër, pasi nuk do të tërheqë vëmendjen.

“Kjo është bërë kulturë pune. Shumë prej nesh punojmë në punë që na pëlqejnë por nëse punon 24 orë në ditë pa pushim gjithë javën, të shterron dëshira”.

Në 2019, Jack Ma, themelues i gjigandit teknologjik Alibaba, tha në platformën kineze të medias sociale Weibo se “ata që arrijnë të punojnë në modelin 9-6-6 janë të bekuar”.

“Nëse nuk punon nga 9 e mëngjesit deri në 6 të darkës gjashtë ditë rresht kur je i ri, kur do të punosh? Nëse je në një punë që të pëlqen, nuk është aspak problem se punon 9-6-6,” tha ai, në një koment që bëri jehonë të madhe dhe u përcoll me kritika të forta. Ai e fshiu më pas komentin.

Kultura e punës 9-6-6 ka çuar në vdekje. Ky fenomen u regjistrua fillimisht në Japoni ku u identifikua me termin karoshi. Në 2018 Japonia miratoi një ligj për reforma në vendin e punës, duke kufizuar numrin e tejzgjatur të orëve të punës.

Në fillim të vitit në Kinë, vdekja e dy punonjësve në platformën dixhitale për shitjen e produkteve bujqësore Pinduoduo ndezi debatin për oraret shkatërrimtare të punës. Shumë të rinj komentuan në median sociale duke shprehur pakënaqësinë me praktikën e punës 9-6-6 dhe duke shprehur preferencë për një jetë me më pak stres.

Më 28 maj, platforma e medias sociale Weibo zhvilloi një anketë me përdoruesit e saj mbi preferencën për të “qëndruar pezull”. Nga 241,000 pjesëmarrës në anketë, 43% u shprehën plotësisht pro kësaj prirjeje, 31% thanë se janë disi në mbështetje dhe 18% thanë se do të donin të “qëndronin pezull” por kishin shumë përgjegjësi mbi supe.

Rreth 80% e 850 milionë përdoruesve të platformës Weibo janë 17-33 vjeç, sipas statistikave të vetë kompanisë.

Autoritetet në Pekin janë të shqetësuara nga popullariteti i kësaj ideje për stilin e jetesës, pasi bie ndesh me ëndrrën kineze siç e ka përkufizuar Presidenti Xi Jinping. Në 2012, zoti Xi foli për “ëndrrën kineze” pak pasi ishte bërë kreu i Partisë Komuniste të Kinës, duke thënë se Kina duhet “të punojë për të arritur ëndrrën kineze për rilindjen e madhe të kombit kinez”.

Gazeta Global Times citon sociologë dhe arsimtarë kinezë të cilët thonë se brezi i ri është më egoist dhe i brishtë përballë presionit krahasuar me brezat e mëparshëm. “Në vend që të punojnë të udhëhequr nga virtytet e mundimit, sakrificës, ngulmimit dhe të përballojnë stresin, ata preferojnë “të qëndrojnë pezull” që të gjejnë paqe shpirtërore,” thuhej në artikull.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua shkruante në një artikull redaksional në fund të majit se “qëndrimi pezull është i turpshëm. Vetëm duke punuar fort arrihet lumturia”.

Zoti Lin, me Akademinë Kineze të Shkencave Sociale thotë se mungesa e përparimit të kënaqshëm në ekonominë, shoqërinë dhe politikën kineze ka çuar në stanjacion të përgjithshëm në sistemin kombëtar të avancimit. Pa përparim social, nuk ka “ëndërr kineze”.

“Njerëzit qëndrojnë pezull. Vendi është në ëndrra. E gjithë kjo është goxha ironike,” tha ai për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën kineze./VOA

SHKARKO APP